Basketboll, Rahoveci triumfon ndaj Dritës

Rahoveci ka fituar pa problem ndaj Dritës me rezultat 99-73, në kuadër të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Vreshtarët dominuan në këtë ndeshje, duke arritur fitore të merituar, që ishte e para në këtë edicion, kurse gjilanasit kanë dy humbje në dy ndeshje.

Vendasit e nisën ndeshjen mirë, ku e kontrolluan nga fillimi dhe e fituan çerekun e parë 30:17. Periudha e dytë ishte paksa më e baraspeshuar, sidoqoftë, u menaxhua mirë nga basketbollistët e Rahovecit, që e fituan këtë pjesë 20:17, duke shkuar në pushim me epërsi bindëse 50:34.

Rahoveci nuk u ndal dhe vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, ku e fitoi periodën e tretë 27:18, kurse ajo e fundit ishte vetëm formale 22:21, për të triumfuar me rezultat 99:73.

Te Rahoveci u dalluan Nick Banyard me 26 pikë e 15 kërcime, Milik Yarbough me 24 pikë e 13 kërcime dhe Fisnik Rugova me 11 pikë, 8 kërcime e 6 asistime, kurse te RC Cola Drita u dalluan Bardh Jakupi me 21 pikë e 12 kërcime, Qëndrim Demi me 15 pikë e 9 asistime dhe Marcus Mayers me 23 pikë.