Basketboll: Ministria e Shëndetësisë nuk i lejon tifozët për Kupën e Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se përkundër insistimit të tyre që ndeshjet e Kupës së Kosovës të zhvillohen me praninë e tifozëve, këtë gjë nuk e ka lejuar Ministria e Shëndetësisë.

Klubi basketbollistik Ylli, kishte njoftuar të dielën se ndeshjet e Kupës së Kosovës nga 3 deri më 7 shkurt, do të zhvilloheshin me praninë e 200 tifozëve në palestra.

Kupa e Kosovës do të zhvillohet në Suharekë e organizuar nga Ylli dhe Federata e Basketbollit e Kosovës.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ju njofton se pavarësisht insistimit të madh nga ana e saj tek Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Final 8 Kupën e Kosovës, që do të zhvillohet nga 3 deri më 7 Shkurt në Suharekë, nuk do të lejohen shikuesit dhe do të respektohet vendimi i Qeverisë së Kosovës, që në palestër duhet të jenë maksimumi 50 persona, duke përfshirë këtu lojtarët, trajnerët, gjyqtarët, zyrtarët e ndeshjes dhe zyrtarët e FBK-së” thuhet në njoftimin e FBK-së.

Ministria e Shëndetësisë nuk lejon më shumë se 40 persona gjatë aktiviteteve në palestra.