Basketboll: Bashkimi mposht Pejën dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës

KB Bashkimi është kualifikuar në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur Pejën me rezultat 79-105.

Në gjysmëfinale do të kemi një përballje prizrenase, pasi Ponte Prizreni më herët ka eleminuar Golden Eagle Yllin.

Ndeshja nisi e baraspeshuar në çerekun e parë, ku asnjëra skuadër nuk arriti të shkëputej, kështu që kjo pjesë përfundon 21:21. Por, në periudhën e dytë pejanët ishin më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 27:22 për të shkuar në pushim me rezultat 48:43.

Rikthimi i Bashkimit ndodhi në pjesën e dytë. Prizrenasit fituan periodën e tretë 14:23, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 62:66. Në 10 minutat e fundit dominuan basketbollistët e Bashkimit dhe fituan 17:39 për të triumfuar në fund 79:105 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.

Te Peja u dalluan Drilon Hajrizi me 22 pikë e 14 kërcime dhe Robert Cartwgright me 24 pikë e tetë asistime.

Kurse te Bashkimi u dalluan Nikola Vukçeviq me 34 pikë e katër asistime dhe Shaq Carter me 26 pikë e 14 kërcime.