Ilustrim, Foto: Facebook/Olympics

Atletët refugjatë të etur për sukses olimpik në Paris

Kur Perina Lokure Nakang vrapoi për herë të parë për qëllime sportive, rrahu një shteg prej 14 kilometrash përgjatë rrugës afër kampit të refugjatëve në Keninë veriperëndimore, ku po strehohej edhe vetë ajo.

Tani, vrapuesja 21-vjeçare jugsudaneze po garon në Lojërat Olimpike të Parisit, bashkë me 37 atletë të tjerë të ekipit olimpik të refugjatëve, të cilët po mundohen që sa më shumë refugjatë si puna e saj të kenë mundësi të garojnë në Olimpiadë.

“I thashë vetes se nëse vazhdoj të vrapoj kështu, do të ndryshojë jeta ime” – ka thënë ajo për AP-në.

“Në Olimpiadë, të gjithë më shohin si përfaqësim i tyre”.

Dhe ata po mbështeten nga ish-olimpistë refugjatë dhe Komisionari i Lartë për Refugjatët i OKB-së, Filippo Frandi, i cili gjatë të dielës i ka thënë AP-së se ekipi “është simbol i gjithëpërfshirës, i barazisë, i arritjes për një bashkësi të madhe anembanë botës të refugjatëve dhe personave të zhvendosur”.

Ekipi olimpik i refugjatëve u krijua në olimpiadën e vitit 2016 në Rio de Zhaneiro, si bashkëpunim ndërmjet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe UNHCR-së, me vetm 10 aletë nga katër vende të ndryshme.

Tani është zgjeruar në një numër më të madh atletësh të cilët janë zhvendosur nga 11 shtete – prej Kubës deri në Afganistan e Sudan Jugor si Nakang, që u zhvendos shkaku i luftës kur ishte shtatë vjeçe.

Ekipi i refugjatëve u ka dhënë shpresë shumë njerëzve për të mbajtur gjallë ëndrrat e tyre që ishin humbur pasi ia kthyen shpinën vendlindjes dhe nisën gjithçka nga zeroja në vendet e reja nikoqire. Këta atletë kanë rrokur vëmendjen qendrore në Olimpiadën e Parisit, një garë që ka vënë në pah tema si diversiteti dhe gjithëpërfshirja në kohën e migrimit global historik.

Në ceremoninë hapëse të së premtes, Grandi u nderua me kurorën olimpike për përkrahjen e ekipit olimpik të refugjatëve dhe për “përkushtimin e tij për të përkrahur refugjatët që t’u njihet fuqia e tyre në sport”.

“Është një moment në të cilin ne shpesh humbim gjithçka që mund të na kthejë dinjitetin, identitetin dhe të na kthejë në komunitetet që i strehojnë refugjatët”, ka thënë Grandi për AP-në.

“Dhe ata nuk janë objekt bamirësie në njëfarë forme, por aktorë dhe pjesëmarrës aktivë në bashkësitë e tyre”.

Olimpiada po mbahet gjatë një kohe të tensionuar në Francë: Partia franceze e së djathtës ekstreme shënoi sukses të madh në zgjedhjet e fundit, duke u përqendruar në politika anti-emigrante.

Autoritetet lokale dhe franceze në Paris janë kritikuar edhe për shkak të prishjes së kampeve të të pastrehëve, kryesisht të përbëra prej emigrantëve nga vendet afrikane që dikur ishin kolonizuar prej francezëve, përfshirë nga Burkina Faso, Guineja, Bregu i Fildishtë dhe Senegali.

Emigrantët u ngarkuan në autobusë dhe janë nxjerrë jashtë qytetit në një përpjekje të autoriteteve për të pastruar rrugët e Parisit gjatë Lojërave Olimpike.

“Ne e kuptojmë se qyteti duhet të menaxhojë veten”, ka thënë Grandi.

Por sidomos për çështjen e azilkërkuesve, “është shumë e rëndësishme dhe humane që të gjenden zgjidhje. Dhe ky është një mesazh që shkon përtej Olimpiadës. Ky është një mesazh që shkon përtej Qeverisë franceze”.

Prapëseprapë, shumë atletë refugjatë tani dhe të mëparshëm, si Yiech Pur Biel e shohin platformën e ofruar nga Olimpiada si thelbësore në përpjekjen më të madhe për t’i humanizuar refugjatët dhe njerëzit që zhvendosen prej shtëpive derisa shtetet anembanë botës po vështirësojnë procesin e qasjes në azil.

Një tjetër vrapues jugsudanez, 29-vjeçari Biel ishte në mesin e dhjetë atletëve të parë që garuan në ekipin olimpik më 2016. Biel, i cili tani jeton në Nebraskë dhe punon me UNHCR-në, shpreson se ekipi “mund ta rikthejë ëndrrën e refugjatëve” dhe “të tregojë se çfarë mund të bëjnë refugjatët”.

Me përfaqësim në ngritje të refugjatëve në Olimpiadë, ai shpreson se do të reduktohet nevoja që të ketë ekip refugjatësh në Lojëra Olimpike.

“Ekipi do të rritet. Ne nuk dëshirojmë që të rritet pop[ullsia refugjate, por askush nuk mund ta kontrollojë çfarë po ndodh në botë”, ka thënë Biel. “Qëllimi jonë final është që të kemi njerëz dhe t’i japin fund nevojës për ekip refugjatësh”./AP