Atdhe Nuhiu: Ndaj Maqedonisë së Veriut është ndeshje e jetës për ne

Qendërsulmuesi Atdhe Nuhiu, ka folur në konferencë për media para ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë, që luhet të enjten nga ora 20:45, në stadiumin “Todor Proeski”, në Shkup.

Sulmuesi i Kosovës, ka thënë se ndeshja e jetës për ta ajo ndaj Maqedonisë së Veriut.

Nuhiu ka thënë se para katër viteve nuk e ka paramenduar këtë situatë se ku janë tani.

“Është ndeshje e jetës për ne, do ta japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv. Para katër vjetësh ka qenë e vështirë të paramendojmë këtë situatë ku jemi tash. Kosova kur është pranuar ne e kemi pasur një ëndërr dhe e kemi ditur se çfarë lojtar jemi. Jemi rritur si ekip dhe me vetëbesim kemi arritur këtu ku jemi. Para katër vitesh nuk kemi mundur ta parashikojmë se do të luajmë një ndeshje të tillë”, ka deklaruar Atdhe Nuhiu.

31 vjeçari ka folur edhe për mungesat e Kosovës, duke u shprehur optimist para ndeshjes së nesërme.

“Do të jenë mungesa të mëdha, por nuk ka pesimizëm, pasi secili lojtar nga ne mund ta japë maksimumin dhe ta tregojë vlerën e tij. Besoj se trajneri i ka selektuar lojtarët që mendon se të gjithë ne mund të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen. Fakt është se janë mungesa të mëdha, por jemi optimist dhe të gatshëm për ta fituar ndeshjen. Pas situatës me COVID mezi e kemi pritur këtë ndeshje”, ka thënë ai.

Fituesi i ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë, do të takohet me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.