Armend Dallku

Armend Dallku tregon planet e rikthimit në formë të futbollistëve të tij

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar që nga 13 marsi si masë parandaluese ndaj përhapjes së coronavirusit ndërsa sportistët e trajnerët janë të detyruar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke e bërë më të vështirë përgatitjen e tyre fizike.

Me detyrimin që të qëndrojnë në shtëpi duke e pasur të kufizuar që të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë për t’i kryer shërbimet e domosdoshme (blerje e ushqimeve, ilaçeve apo edhe kryerjen e shërbimeve bankare e të pagesave), trajnerët e kanë të vështirë t’i përgatisin si duhet futbollistët e tyre.

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, në një intervistë për KALLXO.com, ka rrëfyer detaje se si po i kalon ditët e tij në karantinë dhe në çfarë forme është duke i përgatitur futbollistët e tij.

Dallku ka treguar se ditën e tij e nisë me përqafimin e fëmijëve të tij.

“Një ditë e imja në karantinë fillon me përqafimin e fëmijëve të mi, pastaj së bashku me bashkëshorten time konsumoj çaj, pastaj së bashku të gjithë e hamë mëngjesin. Pas kësaj vijnë bisedat, disa telefonata rreth punëve të mia private, rreth biznesit. Kohën e caktuar nga autoritetet e shfrytëzoj për shëtitje, vrapim ose me biçikletë”, tregon se si e nisë ditën Armend Dallku.

36 vjeçari që ka bërë karrirë futbollisti në Kosovë, Shqipëri e Ukrainë tregon se nuk e kishin paramenduar se do të zgjaste kaq shumë izolimi nga coronavirusi dhe i është dashur që së bashku me stafin e tij t’i përgatisin dy plane stërvitore.

“Të gjithë lojtarët janë duke u stërvitur në mënyrë individuale, normalisht ne si staf e kemi përgatitur një plan për lojtarët tanë që ta zhvillojnë. Nuk e kishim paramenduar që do të zgjaste kaq shumë izolimi dhe jemi detyruar prapë të përsërisim plan tjetër stërvitor. Jemi në kontakt me të gjithë dhe po shpresojmë që të kthehen të gjithë në formë sa më optimale kur të fillojmë, sepse unë mendoj që së shpejti do të fillojmë”, zbulon ish-futbollsiti vushtrrias.

Ai e pranon se formën 100 për qind e kanë të vështirë ta mbajnë futbollistët e tij, por ai i cilëson ata si futbollist fantastikë.

“Është shumë e vështirë të mbahet forma në 100 për qind e një futbollisti duke stërvitur në mënyrë individuale, duke pasur parasysh që futbolli është lojë kolektive dhe donë punë në grup me ide të qarta. Ne kemi përpiluar një plan për lojtarët që t’i kenë brenda stërvitje të gjitha nga pak sa i përket një stërvitje, largo ty punën në grup sido që të jetë unë e di që në ekip ka djem profesionist dhe të etur për suksese dhe mbi të gjitha djem fantastik, ku grupi është mbi të gjithë e jo dikush mbi grupin”, thotë Armend Dallku për KALLXO.com, duke i dhënë lavdata futbollistëve të tij.

Pauza e gjatë do të ndikojë keq të futbollistët, thotë Dallku. Ai shton se do t’i duhen disa javë stërvitje për ta nisur kampionatin.

“Do të ndikojë keq sepse është bërë kohë e gjatë pa stërvitje grupore, mirë po unë besoj që organet e FFK-së e kanë parasysh që duhet klubeve t’u jepet kohë të përgatiten për disa javë për përfundimin e këtij kampionati”, shprehet ish-kapiteni i Prishtinës.

Trajneri i ‘Plisave’ është për rifillimin e kampionatit, pasi vetëm kështu do të jetë korrekte renditja tabelare në fund të sezonit.

“Normalisht që jemi për rifillimin e kampionatit që të gjithë të jemi korrektë në fund dhe mos t’i ngelet dikujt merak se iu bë e padrejtë. Edhe Ballkani që është i pari edhe Prishtina që është e katërta ose ekipet para neve ose pas neve t’i meritojnë vendet e arritura në fund të kampionatit”, potencon ai.

Dallku thotë se do t’i duhen disa ndeshje që futbollistët ta kapin formën optimale për vazhdimin e kampionatit.

“Do të jetë e vështirë që futbollistët të kapin formën e tyre maksimale, mirëpo me kalimin e disa ndeshjeve në fillim besoj që nuk do të kemi probleme, sepse ne si Prishtinë kemi një fond të mjaftueshëm për ta përballuar përfundimin e kampionatit dhe dhashtë zoti që mos të kemi lëndime, jo vetëm ne, por të gjitha ekipet që të kemi garë më konkurruese”,  thotë ai.

Armend Dallku zbulon se ka shtuar peshë në karantinë, pasi nuk po mundet t’i rezistojë ushqimeve.

“Me siguri që kam shtuar peshë, sepse dashtë e pa dashtë po na imponohet ngrënia, kur e them këtë e kam parasysh ushqimet që i përgatit bashkëshortja e ime, Enina, që janë shumë të shijshme dhe është e vështirë t’u rezistoj me gjithë përpjekjet që mos të ha shumë, mirëpo vrapoj edhe biçikletë, e kam përdorë këto ditë shumë. Nga kuzhina nuk përgatis ushqim, për këtë fajtore është bashkështorja ime, sepse ajo të gjitha i bën vet e une vetëm i shijoj”,  zbulon Dallku.

Kohën e ngujimit në shtëpi Dallku po e kalon duke parë filma e seriale, ai po ashtu po lexon edhe libra.

Seriali “La Casa de Papel”, i ka lënë mbresa, kurse tani është duke e lexuar librin “Mos u Trishto” të Aid El Karni

“Po shikoj filma të zhanreve të ndryshëm, por seriali spanjoll “La Casa de Papel”, më ka lën mbresa të mira, njëkohësisht po lexoj edhe literatur sportive edhe internet gjej gjëra që më duken interesante dhe dashtë jam duke lexuar librin “Mos u Trishto” nga autori Aid- El Karni, sa ta përfundoj këtë e kam në plan një libër tjetër, “Muhaxhirët” nga Bejtullah Destani”, tregon Armend Dallku.

Për KALLXO.com, Dallku ka zbuluar një të pathënë deri me tani sa ishte kapiten i Prishtinës. Ai ka treguar se referi i ndeshjes i kishte thënë se për tokë nuk mund të shënonin gol gjë e cila e kishte shokuar atë.

“Gjithmonë ka pasur, ka edhe do të ketë të pathëna, mirëpo unë do ta veçoja një sa isha kapiten i Prishtinës, në një ndeshje vendimtare të kampionatit iu afrova referit dhe i kërkova llogari për një ndërhyrje që iu bë lojtarit tim. Referi me ironi më tha se vetëm nga ajri mund të shënoni, se nëpër tokë jo. Ishte moment shumë i sikletshëm për mua, sepse e kuptova që referi nuk dotë në lejojë që të luajmë futboll”, tregon Dallku.

Ish-futbollisti mitrovicas: Dushin pas stërvitjeve e bënim në lumin Sitnica