Armend Dallku: Pa asnjë hezitim kam pranuar që të jem trajner i Prishtinës

FC Prishtina, sot në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi se trajneri Bylbyl Sokoli, ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit për arsye shëndetësore.

Kryeyqtetasit e kanë emëruar menjëherë zëvendësuesin e tij, ai është Armend Dallku, ish kapiteni i kësaj skuadre.

Prishtina e ka prezantuar Dallkun edhe zyrtarisht si trajner të klubit, me të cilin synojnë që të kenë bashkëpunim të gjatë.

Dallku për faqen zyrtare të klubit ka thënë se e ka pranuar postin e trajnerit të Prishtinës.

“Iu thash edhe lojtarëve sot, si pikë e parë është e vështirë të vendosësh, normalisht sepse jam vetëm në fillimet e mia të karrierës si trajner. Mirëpo, duke e marrë parasysh se 85%-90% të futbollistëve i njoh, e di se çfarë kapaciteti kanë, e di se çfarë mund të bëjnë këta futbollistë dhe pa asnjë hezitim e kam pranuar që të jem trajner i ekipit të Prishtinës. Se sa do të jem gjatë është pikëpyetje, por Prishtina i ka futbollistët më të mirë, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe mund të them edhe më larg. Ka pasur disa probleme dhe disa shqetësime brenda ekipit edhe klubit, mirëpo unë po shpresoj që do ta zgjedhim shumë shpejtë dhe do ta shohim atë Prishtinën që po e themi që të gjithë e dëshirojmë, mirëpo është e kuptueshme që nuk e kemi shkopin magjik që gjithçka të ndryshoj brenda natës, por bashkë me shtabin teknik ne kemi ardhur për ndryshim dhe ky ndryshim do të shihet që në ndeshjen me Gjilanin”, ka thënë kryetrajneri i Prishtinës, Armend Dallku.