Armend Dallku flet pas barazimit ndaj Dritës

Trajneri i Prishtinës ka folur për barazimin ndaj Dritës, ndeshje e cila përfundoi me rezultat 1-1, në kuadër të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës.

Dallku ka thënë se gjasat për titull janë zvogëluar shumë për skuadrën që e drejton ai.

“Gjasat tashmë janë zvoglu shumë, në çdo ndeshje kemi potencuar se luajmë për tre pikë, kishim mungesa sot në mesfushë me Zybën dhe Ahmetin, dhe ndoshta që nuk na dha mundësi të freskohet ky repart i yni”, ka thënë Dallku fillimisht.

Trajneri i kryeqytetasve është ankuar se nuk u akordua një penallti në favor të tyre.

“Bëmë një lojë të mirë, kishim edhe një penallti dhe për mendimin tim, ajo nuk na u dha, e që ishte 100 për qindtë, por kjo të mbetët në ndërgjegje të referit. Ne kemi pasur raste që nuk na u dhanë penallti si në Podujevë dhe këtu ndaj Drenicës, dhe ky ishte rasti i tretë që nuk na ipet në favor tonin”, ka deklaruar Armend Dallku për Super Sport Kosova.

Prishtina pas barazimit 1-1, mbetet në vendin e katërt me shtatë pikë më pak se vendi i parë, duke i zbehur gjasat për titullin e kampionit.