Ardian Nuhiu thotë se e ka analizuar Gjilanin

Gjilani dhe Drita do të përballen të mërkurën nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në kuadër të xhiros së 13-të në Superligën e Kosovës.

Kjo ndeshje do të jetë interesant për faktin se fituesi i kësaj ndeshje do të jetë lider i Superligës. Të dy skuadrat pozicionohen në vendin e parë dhe të dytë me nga 25 pikë.

Trajneri i kësaj skuadre, Ardian Nuhiu ka folur para ndeshjes në konferencë për media duke treguar se e ka analizuar mirë skuadrën e Gjilanit. Ai ka treguar se lojtarët e tij janë të motivuar për ndeshjen e nesërme.

“Kemi analizuar kundërshtarin dhe e njohim shumë mirë, sepse tashmë jemi përballur me ta. Bëhet fjalë për skuadër e cila po vepron shumë mirë në grup dhe kanë individ që dinë të zgjidhin ndeshjen. Kemi marr të gjitha masat, jemi munduar që gabimet që kemi bërë në takimin e parë të jemi më të kujdesshëm e t’i përmirësojmë. Shoh te skuadra një motiv të veçantë, sepse edhe ndeshja është e tillë. Kam besim shumë se ashtu si e kemi përgatitur ndeshjen dhe ekipi do të performojnë në atë mënyrë, duke qenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm. Kështu pikat e dobëta që mund të paraqiten në ndeshje nga kundërshtari, t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Nuhiu.

Dritës në këtë ndeshje do t’i mungojë mesfushori Muharrem Jashari.