Ardian Nuhiu thotë e ka analizuar ekipin e Feyenoordit

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka folur në konferencë për media para ndeshjes ndaj Feyenoordit, që luhet në kuadër të rundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Nuhiu, ka thënë se i ka analizuar lojërat dhe lojtarët e Feyenoordit dhe do të jetë më e lehtë për ta.

“Do të jetë një eksperiencë e mirë, si për mua si trajner e po ashtu edhe për ekipin tim. Më vjen mirë që këta futbollistë arritën të sjellin këtu një ekip të madh siç është Feyenoordi. Ne kemi përparësi sepse ne dimë gjithçka për Feyenorrdit. Kemi analizuar shumë ndeshje të tyre, si në aspektin ekipor e po ashtu edhe individual për çdo futbollistë. E dimë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë. Kanë lojtar cilësorë, sidomos sulmuesit e krahut e po ashtu edhe në mesfushë e mbrojtje janë të fortë. Kanë lojtarë të rrezikshëm”, ka thënë Nuhiu.

Ai thotë se e vlerësojnë kundërshtarin, por nuk e nënçmojmë kualitetin që kanë.

“Është sportive që të shpresojmë. Jemi të përgatitur maksimalisht. E dimë që kemi përballë një ekip të fortë. Në futboll ndodhin gjithmonë befasi. Por asnjëherë nuk do të dorëzohemi. Do ta vlerësojmë kundërshtarin, por asnjëherë nuk do ta nënvlerësojmë kualitetin që kemi. Do të japim më të mirën. Presim dhe shohim. Formacionin do ta zbulojmë në ditën e ndeshjes, në varësi të kundërshtarit. Do të shohim”, përfundoi Nuhiu.

Drita – Feyenoord, luhet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.