Ardian Nuhiu pret ndeshje të vështirë ndaj Ballkanit

Drita do të ketë punë të vështirë në xhiron e katërt, pasi do të takohet me skuadrën e Ballkanit.

Të dy skuadrat nga tri ndeshje i kanë nga dy fitore dhe një barazim duke e kryesuar kreun e tabelës me nga shtatë pikë.

Drita – Ballkani, do të luhet të mërkurën nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Trajneri i gjilanasve Ardian Nuhiu, ka deklaruar se nesër i pret ndeshje e vështirë ndaj Ballkanit. Ai ka theksuar se e kanë analizuar kundërshtarin në detaje në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për ndeshjen e nesërme.

“Nesër na pret një përballje e fortë, takohen dy skuadra të cilat në dy vitet e fundit gjithmonë kanë zhvilluar ndeshje të mira dhe të forta. Kjo për shkak të cilësisë të futbollistëve dhe kualitetit që kanë njëra apo tjetra skuadër si në aspektin individual ashtu edhe në atë grupor. Nuk dyshohet që do të jetë ndeshje e taktizuar si nga njëri apo tjetri trajner, ne sigurisht kemi marrë masat, kemi analizuar kundërshtarin, në repartet apo edhe në aspektin individual dhe ne të gjithë kemi punuar dhe e shohim nesër në lojë se si do të rrjedhë ndeshja”, ka theksuar trajneri Nuhiu.

Nuhiu ka theksuar se skuadra e tij kërkon fitore në këtë ndeshje ndaj Ballkanit.

“Ne si Drita gjithmonë kërkojmë maksimumin. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe nuk ka kundërshtar të lehtë, duhet çdo ndeshje të përgatitim në mënyrën më të mirë nëse duam të fitojmë. Do të vazhdojmë kështu. Po e shohim edhe ekipet tjera rivale se sa me vështirësi po shkojnë tek fitorja, edhe për ne ashtu. Është vetëm fillimi i kampionatit, ka disa futbollistë që e kërkojnë formën e tyre, ende nuk janë në maksimumin e tyre, por nga ndeshja në ndeshje duke kërkuar më të mirën nga gjithsecili”, deklaroi Nuhiu.