Arbnor Ramadani, mesfushori që po shkëlqen te Llapi në krizë të rezultateve

Skuadra e Llapit është në krizë të rezultateve në Superligën e Kosovës. Në 14 ndeshjet e zhvilluara skuadra nga Podujeva ka mbledhur vetëm 11 pikë, duke qenë e parafundit në tabelë.

Megjithatë, te kjo skuadër po vërehet angazhimi i mesfushorit Arbnor Ramadani.

26-vjeçari nga Kamenica është bërë i padiskutueshëm në formacionin startues të trajnerit Tahir Batatina.

Nga 14 ndeshje të zhvilluara nga Llapi, Ramadani ka luajtur në 11 prej tyre, me ç’rast ka shënuar tre gola dhe një asistim.

Në një bisedë me KALLXO.com, Arbnor Ramadani ka folur për formën që po e kalon te skuadra e tij dhe çka po ndodh me Llapin.

Goli i tij ishte vendimtar për fitoren në xhiron e fundit ndaj Drenicës.

Ai ka thënë se për të në plan të parë janë rezultatet e klubit, pastaj vijnë sukseset personale.

“Të them të drejtën sukseset apo forma personale nuk janë në rend të parë, para formës dhe rezultateve të klubit. Forma e mirë në të cilën po kaloj duke shënuar dhe asistuar gola, mendoj që janë meritë e bashkëlojtarëve të mi dhe falë punës të madhe arrihet çdo gjë. Shpresoj që të vazhdojë me këtë ritëm duke e ndihmuar skuadrën time për objektivat e saj”, ka thënë Arbnor Ramadani për KALLXO.com.

Ish-futbollisti i Dritës beson se pozicionimi i Llapit nuk është pasqyra reale e klubit, por për të futbolli nganjëherë është i çuditshëm.

“Është e vërtetë që nuk e kemi nisur sezonin ashtu siç kemi pritur, mirëpo nganjëherë futbolli është paksa u çuditshëm, nuk do të thotë që do të shkoj gjithçka sipas planit që ke. Besoj që shumë shpejt do të kthehemi aty ku e kemi vendin, sepse kemi një skuadër shumë cilësore dhe nuk mendoj që kjo është pasqyra reale e Llapit në këtë sezon”, ka vlerësuar Arbnor Ramadani.

Mesfushori insiston se nuk ka vend për presion te Llapi, pasi kanë skuadër cilësore dhe do të jenë pjesë e Superligës edhe për sezonin e ardhshëm.

“Mendoj që nuk ka vend për presion, sepse kemi skuadër mjaft cilësore. Na kanë munguar rezultatet, mirëpo jo edhe loja e mirë, besoj që do të dalim nga kjo krizë dhe do të mbesim në Superligë pa ndonjë problem”, ka potencuar Raamadani.

Ai ka treguar se çka e dallon Llapin nga skuadrat e tjera të Superligës.

“Llapi është një klub mjaft mirë i organizuar në këto vitet e fundit me një planprogram afatgjatë dhe mendoj kjo është njëra prej arsyeve që dallon nga skuadrat tjera”, thotë i bindur Arbnor Ramadani.

I pyetur se cili ka qenë kundërshtari më i fortë që është përballur deri më tani, Ramadani ka thënë se nuk di cilin ta veçojë, pasi deri më tani është përballur me shumë të tillë.
“Ka mjaft kundërshtarë të fortë me të cilët jam përballur deri më sot dhe nuk di cilin ta veçoj. Mund të them që në Superligën tonë është rritur cilësia shumë dhe ka shumë lojtarë cilësor”, ka thënë ai.

Kujtojmë se forma e Arbnor Ramadanit nuk është rastësi, pasi në sezonin 2019/2020, i ka bërë 29 paraqitje për skuadrën e Llapit duke qenë titullar i padiskutueshëm, duke i shënuar katër gola dhe katër asistime.

Llapi e ka vazhduar kontratën me Arbnor Ramadanin deri në qershor të vitit 2021.