Anulohen garat në të gjitha kategoritë seniore për këtë sezon në basketboll

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, sot ka marrë vendim që t’i anulojë garat në të gjitha kategoritë seniore për sezonin 2019/2020.

FBK, ka njoftuar se garat janë anuluar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVVID-19.

“Në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19 maj 2020, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot unanimisht ka marrë vendim që të anulojë garat në të gjitha kategoritë seniore për stinorin 2019/2020”, thuhet në njoftimin e FBK-ës.

Vendimi për anulimin e garave në të gjitha kategoritë seniore, përfshinë edhe vendimin e 31 marsit, për anulimin e garave në Superligat e Kosovës në basketboll.

“Vendimet për ndërprerjen dhe anulimin e garave të në gjitha kategoritë seniore, përfshirë vendimin e datës 31 mars 2020 për anulimin e garave në Superligat e Kosovës në basketboll, janë marrë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë, zhvillimi i së cilit është i pamundur në kohë kur pandemia globale po vazhdon që të jetë e pranishme në Kosovë”, vazhdon njoftimi i FBK-ës.