Analistët Sermaxhaj, Sejdiu e Shosholli flasin për gjasat e Kosovës ndaj Çekisë

Kombëtarja e Kosovës të enjten në Plezen të Çekisë do ta ketë ndeshjen më vendimtare deri më tani në fazën e kualifikimeve për “Euro 2020”.

“Dardanët” prej orës 20:45 do të përballen me Çekinë, rivalin direkt për vendin e dytë në Grupin A, vend i cili ia siguron njërës kombëtare Europianin 2020.

Kosova në Prishtinë më 7 shtator kishte fituar ndaj Çekisë me rezultat 2-1, me golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës.

Por, në këtë ndeshje trajneri Bernard Challandes nuk mund të llogarisë në Vedat Muriqin e lënduar.

Selektori zviceran ka thënë se Kosova është e gatshme për ndeshjen e nesërme.

“Jemi gati, nëse nuk do të ishim gati do të rrinim në Prishtinë”, ka deklaruar Bernard Challandes.

Edhe trajner i Çekisë, Jaroslav Shihalvy, është optimist për këtë ndeshje duke thënë se nuk e pranojnë humbjen assesi.

“Ne nuk pranojmë që nesër të humbasim”, ka thënë trajneri i Çekisë në konferencë për media.

KALLXO.com ka kontaktuar analistë dhe trajnerë të futbollit, të cilët tregojnë se sa janë gjasat e Kosovës për ndeshjen ndaj Çekisë.

Genc Sermaxhaj, analist dhe trajner i futbollit, thotë se Kosova nuk duhet ta ndryshojë stilin e lojës ndaj Çekisë, duhet që të luajë njësoj si ndaj kombëtareve tjera e që ka rezultuar me sukses.

Ai po ashtu ka shtuar se djelmoshat e udhëhequr nga Bernard Challandes duhet të kenë kujdes në fazën e mbrojtjes.

“Kosova për ta fituar ndeshjen duhet të luajë njësoj sikur ndaj çdo kundërshtari me të cilin është përballur deri më tani, sepse mënyra e lojës së përfaqësues sonë është sulmuese, e kujdesshme, e shpejtë dhe e sigurt.  Si e tillë duhet të bëjë paraqitjet edhe ndaj Çekisë. Kujdesin më të madh Kosova duhet ta ketë në vijën e mbrojtjes që të mos rrezikojë dhe duhet që të ndërprerjet e aksioneve të kundërshtarit t’i bëjë sa më larg zonës sonë”, ka thënë Sermaxhaj për Kallxo.com.

Sermaxhaj thotë se mungesa e Muriqit është hendikep i madh, mirëpo Kosova ka lojtarë të mjaftueshëm që ta zëvendësojnë sulmuesin e Fenerbahçes.

Ai shton se nëse Kosova shënon fitore në këtë ndeshje atëherë do të bëjë një hap të madh drejt kualifikimeve për “Euro 2020”.

“Jemi të hendikepuar pa sulmuesin Vedat Muriqi, por kemi alternativa tjera fatmirësisht dhe trajneri do të gjejë një zëvendësues duke bërë ndonjë rotacion të përshtatshëm për mënyrën e lojës së tij. Kjo konkurrencë edhe ky fond cilësor i përfaqësues sonë na jep shpresa se kushdo që mungon, ne prapë jemi të fortë edhe me zëvendësimet që bëjmë. Sidoqoftë fitorja eventuale neve na mban në hap për kualifikimin e mundshëm”, ka potencuar ai.

Genc Sermaxhaj, analist dhe trajner i futbollit

Kurse trajneri i futbollit Gani Sejdiu, thotë se triumfi ndaj Çekisë do të jetë i vështirë, por jo i pamundur.

“Është ndeshje decizive për kualifikimin dhe gjasat ekzistojnë nëse fitojmë. Se do të jetë e vështirë do të jetë, nuk diskutohet, por jo e pamundur”, thotë fillimisht Sejdiu për KALLXO.com.

Sejdiu thekson se në ndeshjen ndaj Çekisë duhet të funksionojë çdo gjë në mënyrë perfekte dhe të ketë përqendrim maksimal gjatë tërë lojës.

“Se si duhet të luajë është vështirë ta them, por një është e sigurt se në këtë takim duhet çdo gjë të funksionojë në mënyrë perfekte, të përgatitet çdo detaj në mënyrë të përkryer, ku secili lojtar duhet të interpretojë veprimet e tyre me saktësi dhe me përqendrim maksimal në çdo moment të lojës, por edhe normal duhet t’i qasemi lojës me të vetmen alternativë – fitoren, por me kujdes dhe disiplinë të madhe taktike, sepse këto ndeshje llogariten të veçanta për nga rëndësia e tyre”, ka shtuar trajneri i njohur kosovar.

Gani Sejdiu, trajner i futbollitNdërkaq, analisti Ajet Shosholli, ndeshjen ndaj Çekisë e konsideron si finale dhe të vështirë me mungesën e Vedat Muriqit. Ai shton se në vend të Muriqit pritet të luajë Atdhe Nuhiu.

“Kjo ndeshje me Çekinë është edhe si një llojë finale, sepse vetëm fitorja me Çekinë dhe barazimi me Anglinë na mundëson që të kualifikohemi direkt në këtë fazë të garave. Natyrisht që do të jetë shumë vështirë e posaçërisht me mungesën e Vedat Muriqit, i cili deri më tani ka qenë lojtari kryesor i ekipit tonë. Por besoj që si deri më tani kemi pasur mungesa edhe në këtë ndeshje do të gjendet zëvendësimi adekuat i Muriqit e sipas të gjitha gjasave ai mund të jetë Atdhe Nuhiu”, ka thënë Shosholli për KALLXO.com.

Shosholli insiston se trajneri Bernard Challandes duhet të luajë me formacionin e njëjtë që ka luajtur deri me tash.

“Mendoj që edhe kësaj here, seleksionuesi i ynë do ta gjejë modulin e duhur për rezultat të plotë. Personalisht mendoj që nuk duhet ndryshuar shumë nga mënyra e lojës që kemi pasur deri më tani, përveçse ndoshta me detyra më pak specifike për disa lojtarë që i kanë pasur deri më tani”, ka shtuar Shosholli.

Ajet Shosholli