Alban Hyseni: Punimet në rregullimin e stadiumit do të fillojnë sapo të lejojnë kushtet atmosferike

Punimet në rregullimin e stadiumit në Gjilan do të fillojnë sapo të lejojnë kushtet atmosferike.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga i pari i Komunës së Gjilanit pas një që ka mbajtur me drejtuesin e kompanisë si dhe organin mbikëqyrës.

Kryetari Hyseni ka thënë se në pjesën perëndimore të stadiumit do të kryhen punime me intensitet të shtuar, sapo të lejojnë kushtet atmosferike.

“Punimet në pjesën perëndimore të stadiumit pritet të fillojnë me intensitet të shtuar sapo kushtet atmosferike të jenë më të përshtatshme, ashtu që Intelektualët dhe Skifterët të mund t`i shikojnë klubet e tyre të zemrës nga tribunat dhe në kushte shumë më të mira” ka thënë Hyseni.

Sipas njoftimit nga Hyseni, projekti ka filluar në vitin 2017 dhe është dashur të përfundonte në vitin 2020.

“Projekti për rregullimin e stadiumit ka filluar në vitin 2017 dhe ishte planifikuar të përfundonte në fund të vitit 2020, por kjo nuk ka ndodhur ende, si rrjedhojë e disa ndryshimeve, prandaj u rekomandua hartimi i dokumentacionit i cili do të jetë bazë për ekzekutimin e punimeve” thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com edhe më herët kishte raportuar për mos përfundimin e punimeve në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.