Ajzeraj: E kemi merituar barazimin

Sulmuesi anësor i Dritës, Almir Ajzeraj, është shprehur i kënaqur me barazimin ndaj Feyenoordit, duke e quajtur të merituar.

Ai është shprehur se do të kërkojnë eliminimin e Feyenoordit në ndeshjen e kthimit që luhet në Holandë.

“Kishim të bëjmë me një kundërshtar tejet të organizuar dhe të vështirë, pasi dihet që Feyenoordi është ekip i madh. Mirëpo, ne luftuam dhe nuk u dorëzuam deri në fund për ta mbyllur ndeshjen pa gola. Mendoj se e kemi merituar tërësisht barazim. E kemi edhe një ndeshje, ku do të mobilizohemi dhe do të tentojmë ta bëjmë befasinë duke e eliminuar Feyenoordin”, është shprehur Ajzeraj.

Drita dhe Feyenoordi barazuan me rezultat 0-0, në ndeshjen e parë të rundit të dytë në Ligën e Konferencës.