Agim Ademi reagon pas sulmit me eksploziv ndaj shtëpisë së Armand Dukës

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar lidhur me sulmin me tritol ndaj shtëpisë së Kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit mbrëmjen e djeshme.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ademi është shprehur i tronditur me lajmin.

“I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Durrës”, ka thënë Ademi.

Ademi po ashtu është shprehur se kjo është një ngjarje e rëndë për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar.

“Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s” ka thënë më tutje Ademi.

Më tutje Ademi ka thënë që Duka ka përkrahjen e tij dhe të komunitetit të futbollit Kosovar.

“Familjes së tij i ofroj tërë mbështetjen time dhe të komunitetit të futbollit kosovar, me shpresë që kryerësit e këtij akti të vihen para drejtësisë dhe në të ardhmen të mos ballafaqohet me ngjarje të tilla” ka thënë Ademi.