Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

Ademi për ‘Tutto Sport’: Spanja duhet të respektojë vlerat tona, Serbinë e presim në Prishtinë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur italiane “Tutto Sport”, para ndeshjes ndaj Spanjës, që luhet sonte nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Ademi është pyetur për shkrimet e Federatës së Futbollit të Spanjës që e kanë shkruar në “Tëitter”, “territori i Kosovës”.  Kyetari i FBK-së ka thënë se nuk duhet të përzihen sporti me politikën.

“Unë gjithmonë përpiqem të mos e ngatërroj sportin me politikën, por nuk mund të lejoj që askush të nënçmojë atë çfarë jemi në të vërtetë, sepse kjo nuk lëndon vetëm ndjenjat e mia, por ato të një kombi të tërë. Kosova është një vend i njohur nga shumica e vendeve demokratike të botës dhe si i tillë edhe nga UEFA dhe FIFA dhe besoj se nuk duhet të ndikohemi nga qasjet e autoriteteve shtetërore sepse përndryshe nuk do të kishte kuptim të luanim”, ka thënë Ademi ndër të tjera në një intervistë të gjatë dhënë për “Tutto Sport”.

Agim Ademi po ashtu është pyetur se sa kohë duhet ta parë një përballje mes Kosovës dhe Serbisë në Prishtinë ose Beograd.

“Unë mund të garantoj që organizimi i një ndeshje të tillë hipotetike në Prishtinë do të ishte në përputhje me standardet më të larta. Nuk di çfarë të them për ndeshjen eventuale në Beograd, sepse aspekti politik është gjithmonë i pranishëm në Ballkan, siç e kemi e parë gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë”, është shprehur Ademi.