4 milionë e 600 mijë euro do të investohen për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit, për ndërtimin e stadiumit të qytetit.

Ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit.

Stadiumi i Gjilanit, i cili përdoret nga dy skuadrat gjilanase SC Gjilani dhe FC Drita, do të jetë i kategorisë së katërt dhe pritet të përfundoj në vitin 2022.

Sipas këtij memorandumi, obligimet financiare do të kryhen nga MKRS-ja, kurse Komuna e Gjilanit do t’i zhvillojë procedurat e prokurimit.

Ministrja Dumoshi tha se nëpërmjet këtij memorandumi që kanë nënshkruar sot, i është hapur rrugë standardizimit të stadiumit të qytetit të Gjilanit konform kritereve evropiane.

“Që nga marrja e detyrës, jam interesuar që të shqyrtoj projektet sipas prioriteteve dhe duke pasur parasysh këtë fakt, kemi marrë përsipër të iniciojmë projektin për të cilin nënshkruam sot memorandumin me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri, e që do të konkretizojë me një stadium të mrekullueshëm të qytetit. Si MKRS, ndjehemi jashtëzakonisht të kënaqur që po u mundësojmë një hapësirë moderne e me standarde sportistëve të Komunës së Gjilanit,” ka thënë Vlora Dumoshi, njofton MKRS.