10 milionë euro do të investohen për stadiumin e qytetit në Gjilan

Stadiumi i qytetit të Gjilanit, të cilën e shfrytëzojnë ekipet e futbollit, FC Drita dhe SC Gjilani, parashihet të përfundohet në vitin 2023 dhe të jetë i kategorisë së katërt.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri sot kanë vendosur gurthemelin e fushës ndihmëse të futbollit në këtë komunë  që do të ndërtohet në lagjen ‘Arbëria”, i cili do t’i kushtojë 500 mijë euro MKRS-ës.

Ministrja Dumoshi ka deklaruar se do të vazhdojnë ta mbështesin komunën e Gjilanit në përmirësimin e infrastrukturës sportive.

“Do të vazhdojmë bashkëpunimin në infrastrukturën sportive dhe është duke u investuar dhe kemi edhe hallën e sporteve të Gjilanit dhe të Zhegrës dhe këtë stadium që investimi për këtë vit është 1 milion e 100 mijë euro. Punimet jemi duke i shikuar dhe zakonisht ka pengesa me punëkryerës dhe kemi marr vendim si Ministri të shohim si po kryejnë punët përndryshe diku nëpër komuna i kemi ndërprerë. Këtu është një lajm i mirë sepse punëkryerësi është duke punuar sipas dinamikës së paraparë”, ka thënë ministrja Dumoshi.

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se zhvillimi i aktiviteteve sportive në stadium ndikon negativisht në dinamiken e punimeve, por sipas tij nuk ka opsion tjetër.

“Rishikimi i projektit është kërkuar sipas standardeve për të zgjeruar kapacitet e investimeve në Gjilan dhe po mundohemi edhe me zhvillu garat edhe të punojmë. Praktikat nuk e lejojnë kështu, por kalendari i sporteve nuk na pengon, por e ul dinamikën e punimeve. Derisa nuk kemi zgjidhje tjetër duhet me të bashkëjetojmë dhe të ruajmë kalendarin e garave edhe të punojmë në mënyrë që të kryhet pjesa e investimeve. Infrastruktura sportive në Gjilan po shkon drejt mbylljes sepse ministrja konfirmoi renovimin e palestrës sportive”, ka deklaruar Haziri.

Ndërkaq, drejtori i sportit në Ministrinë e Sportit, Ibër Alaj, ka deklaruar se renovimi i stadiumit të qytetit kap fshirën e 10 milionë eurove investime. Alaj ka bërë të ditur se deri më tani vetëm 20 për qind e punimeve janë realizuar në këtë stadium.

“Në bazë të projektit që është duke u implementuar deri tani janë përfunduar vetëm 20 për qind të punimeve pasi projekti është rreth 10 milion euro ndërsa deri tani janë investuar diku 2 milion euro. Këtë vit synojmë që t’i realizojmë edhe 1 milion e 100 mijë euro në mënyrë që ndërtimi i vrazhdë të implementohet ndërsa në dinamikën që është planifikuar nëse nuk kemi vonesa në procedurat e prokurimit ne mendojmë që në vitin 2023 stadiumi i qytetit të Gjilanit të përfundojë”, ka thënë ai.