ARKIV - Nga një protestë e mjekëve specialistë | Foto: KALLXO.com

Specialistët e Papunë ‘i Bijnë në Derë’ Ministrisë

Rreth 30 specialistë të fushës së mjekësisë kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar punësim.

Përfaqësuesi i tyre Arben Ademi tha se ata do të vazhdojnë të protestojnë edhe para institucioneve të tjera derisa të plotësohet kërkesa e tyre.

“Sot kemi ardhur në protestën e radhës para ministrisë së shëndetësisë me kërkesën e vetme, plotësimin e të drejtës elementare e që për ne që është punësimi”, tha ai.

Sipas tij pas kësaj protestë ata do të organizojnë edhe grevë urie dhe protesta të tjera para Kuvendit të Kosovës.

Specialistë të fushave të ndryshme në mjekësi për më shumë se një orë qëndruan para dyerve të ministrisë kurse më vonë ata u pranuan brenda nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

Përfaqësuesi i tyre Arben Ademi pas takimit tha se ministria ka premtuar vetëm që do të interesohen për çështjen e tyre.

“Na ka premtuar se ka me u angazhu tash me ndarjen e buxhetit për të na siguruar një buxhet shtesë që më pas mundësi me na angazhu në punë fillimisht pastaj me hap konkurse për pranim të rregullt”, tha ai.

Albana Krasniqi specialiste e neurologjisë e cila ka kryer 24 vitet shkollim tha se nuk është e drejtë që akoma nuk po arrijnë të punësohen.

„Me parë kam qenë me rroga nga ministria e shëndetësisë dhe në momentin që e kam përfundu specializimin është shkëputur kontrata edhe pse e kam marrë specializimin nga Qendra Klinike Universitare akoma nuk jam punësuar“, tha ajo për kallxo.com

Sipas saj ajo ka specializuar që të ndihmojë njerëzit mirëpo këtë nuk po mundet ta bëjë pa qenë e punësuar.

Specialistët e papunë kanë protestuar edhe më parë madje me 4 prill të këtij viti ata kishin bllokuar edhe hyrjen në Ministri të Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë koment rreth protestët dhe takimit me specialistët.

http://kallxo.com/mjeket-specialiste-ne-proteste-kerkojne-vende-pune/