Nexhmedin Spahiu

Spahiu: Kosova Nuk Guxon të Humbë Partnerë Strategjikë për Shkak të Erdoganit

Nexhmedin Spahiu, Profesor i Shkencave Politike, foli në emisionin “Jeta në Kosovë” lidhur qëndrimin që duhet të mbajë Kosova karshi kërkesave të shtetit të Turqisë për ekstradime të personave që konsiderohen se kanë marrë pjesë në tentim- puçin që ndodhi vitin e kaluar atje.

I ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Spahiu tha se kërkesa e fundit për ekstradim të një shtetasi turk në Kosovë ka qenë veprim politik.

“Kosova duhet me pasë sovranitetin e vet. Është edhe politike edhe gjyqësore, por në rend të parë është politike sepse gjithë ky komunikim ka shkuar përmes ministrisë dhe zakonisht kur bëhet fjalë për mes dy shteteve të ndryshme, shkon përmes ministrive përkatëse dhe vendimet natyrisht që janë edhe politike”, tha Spahiu.

Ai bëri thirrje që Kosova të mos bëjë politike të ngushtë me pushtetarë të vendeve mike, duke ruajtur raportet e mira me partnerë strategjikë.

“Kosova është një vend i vogël dhe ka partnerët e vet strategjik. Ndër partnerët strategjikë është sigurisht Turqia, Amerika, Gjermania… dhe ne nuk guxojmë fort me u mbështetë te një forcë politike që është në pushtet, duhet me pasë parasysh se ai mund me ra prej pushteti.. dhe ne nuk guxojmë me i rreziku marrëdhëniet duke pasë marrëdhënie shumë të afërta ta zëmë me Erdoganin”, tha Spahiu.

Ugur Toksoy, i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më 27 tetor ndërsa një ditë më pas atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sot ndaj tij është tërhequr kërkesa për ekstradim nga Prokuroria e Kosovës.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, këtë javë i është dedikuar marrëdhënieve të Kosovës me Turqinë.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: