Sot varroset zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci

Në varrezat e kryeqytetit sot në ora 13:00 do të organizohet ceremonia e varrimit të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

I ndjeri vdiq dje si pasojë e një orteku bore në malet e Brezovicës.

Në momentin e shembjes së ortekut, Arian Daci ishte me një shok të tij, i cili u shpëtua në çastet e fundit.

Para ceremonisë së varrimit, në ambientet e Kuvendit të Kosovës nga ora 10:30 do të mbahen homazhe kurse në Teatrin Kombëtar nga ora 12:00 do të mbahet akademi përkujtimore.

Arian Daci është i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Dacit.

Njëri nga pjesëtarët e njësisë së shpëtimit në Brezovicë, Rifat Bytyqi, ka rrëfyer mbrëmë për RTK momentin kur kishin marrë lajmin për ortekun në qendrën e skijimit.

“Ka qenë ora 2 e 10 diku kur e kemi marrë informacionin për një ortek jashtë shtegjeve të skijimit. Informacioni ka qenë që dikush është zënë nga orteku”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka shpjeguar se ekipet e shpëtimit kishin shkuar te vendi i ngjarjes dhe me ron sonda kishin arritur ta lokalizonin trupin e viktimës.

“Pasi e kemi lokalizuar me shpejtësi e kemi nxjerrë por në momentin kur e kemi nxjerrë ai ka qenë pa shenja jete”, ka rrëfyer Bytyqi.

https://kallxo.com/trupi-i-pajete-i-zevendesministrit-mberrin-ne-mjekesi-ligjore/

Ndërsa, Lulzim Zhubi, themelues i organizatës “Scardus” që promovon skijimin dhe organizon gara në këtë sport, ishte në Brezovicë  në ditën e aksidentit dhe për KALLXO.com  tha që zëvendësministri Arian Daci bashkë me Ardian Bakallin ishin duke skijuar jashtë terrenit të skijimit.

“Të jemi të qartë, që këta skijatorë me përvojë janë kapur në ortek jashtë shtigjeve të skijimit, në vendin që ne e quajmë ‘Foleja e Shqiponjës’ – Bakalli ka pasur me veti air-bag, mjet që e mbajnë skijatorët për të dalur prej ortekut, andaj edhe ka shpëtuar” thotë Zhubi.

“Ekziston tabelë e qartë, të cilën e kam parë vetë kur isha aty para 4 dite, se kjo pjesë ku ai ka vdekur është pjesë në të cilën është rrezik të skijohet, tabela është vërë që t’i alarmojë skijatorët se është rrezik të shkohet ‘jashtë pistës’ apo jashtë terrenit të paraparë për skijim. Këta dy skijatorë kanë qenë duke skiju ‘free-ride’, që i bjen jashtë terrenit”, shtoi ai.

https://kallxo.com/skijatori-i-vdekuri-ne-ortek-ishte-jashte-pistes-se-skijimit/

Familjen, kolegët dhe miqtë e Arian Dacit e kanë ngushëlluar drejtues të institucioneve dhe partive politike.

Për shkak të rrezikut nga orteqet qendra e skijimit në Brezovicë do të mbyllet për dy ditë.

Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit i ka thënë mediave që qendra do të bllokohet për dy ditët e ardhshme.