Foto: Atdhe Mulla

Sot pritet të merret vendimi final për kompensimin e orëve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se sot do të vendoset për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve.

“Ne sot kemi takim në ora 11:00. I kemi ftuar gjithë drejtorët e DKA-ve dhe SBAShK-un do diskutojmë dhe do të jetë vendimi final, pastaj do kërkojmë që DKA-të të zbatojnë udhëzimin administrativ, ku në të është e përcaktuar plotësimi i normativave për mbylljen e vitit shkollor”, tha ministri.

Ai shtoi se çdo vendim që do të merret në këtë takim duhet të zbatohet nga DKA-të dhe ta plotësojnë normativën sipas udhëzimit administrativ.

“Besoj se ky do të jetë konkluzioni ynë që do ta kemi në takim. Nëse SBAShK-u duan të jenë pjesë e zbatimit të këtij udhëzimi, nëse jo është çështje e tyre a duan me i mbajt qëndrimet e tyre”, tha Bytyqi.

Vazhdon të jetë e paqartë nëse nxënësit kosovarë do të zëvendësojnë tre javë të humbura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve në janar.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit filluan luftën lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura.

SBAShK-u javën e kaluar kishte vendosur që të kompensojë vetëm një javë në fund të vitit shkollor.

Derisa sot pritet të vendoset se cila do të jetë forma e kompensimit të tyre.