Drejtësia në Kosovë

Sonte në DnK: Beteja e Grave për Barazi në Pronë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmeton hulumtimin për gjendjen në të cilën jetojnë shumë gra në Kosovë, sidomos për ato gra të cilat nuk kanë prona të regjistruara në emrin e tyre.

Hulumtimi i cili do transmetohet sonte flet për problemet në vonesat në plotësimin dhe zbatimin e legjislacionit, ku  hyjnë edhe shumë ligje që rregullojnë të drejtat pronësore dhe procedurat për të fituar të drejtën themelore, atë të trashëgimit të pronës.

Poashtu të gjeturat në teren dëshmojnë se gratë viktima të dhunës në mungesë të pronave detyrohen të braktisin shtëpitë dhe të ballafaqohen më vështirësi në sigurimin  strehimit dhe të jetesës për vete dhe fëmijët e tyre.

Hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, tregon edhe për njerëzit e ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët, për regjistrimin e pasurive të tyre sipas ligjeve në fuqi.

Po ashtu emisioni i sontëm sjell edhe intervistat me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të cilët kanë dhënë rekomandimet e tyre për rregullimin e ligjeve që do të garantonin që pronat të regjistrohen në emrin e të dy bashkëshortëve dhe poashtu do të garantojë të drejtën e grave dhe vajzave në trashëgimi.

Në fund të emisionit në rubrikën “Policia”, do  mund të ndiqni pamjet ekskluzive nga aksioni i policisë në kapjen e 130 kilogramëve me narkotik. Pamjet ekskluzive tregojnë për teknikat dhe mënyrën që kanë përdorur trafikantët në fshehjen e narkotikëve.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në RTK duke filluar nga ora 22:20 dhe repriza të hënën në mesditë.