Foto: Gent Cakaj/Facebook

Solidarizohet me Kosovën, Shqipëria anulon pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina.

Ai ka thënë se kjo po bëhet në shenjë solidarizimi për Kosovën.

Cakaj ka kritikuar trajtimin e Kosovës nga organizatorët, të cilin e ka quajtur të papranueshëm.

“Shqipëria anulon pjesëmarrjen e saj në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti për Kosovën. Trajtimi i saj nga organizatorët është i papranueshëm dhe shkon kundër qëllimit të krijimit të një atmosfere besimi, marrëdhëniesh të mira fqinjësore dhe stabilitetit”, ka shkruar Cakaj në Twitter.

Ditë më parë presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli e kanë anuluar pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës për shkak të ftesës denigruese nga kryetari aktual i Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, tha Thaçi.