Sokol Bashota, Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Sokol Bashota 'heziton' të lirojë pozitat e tij pas vendimit të Kadri Veselit

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë, Sokol Bashota, është në listën e personave të cilët pritet të shkarkohet pasi që ndaj të njëjtit ka një vendim dënimi nga Gjykata.

Bashota është dënuar për deklarim të rremë të pasurisë dhe është dënuar në maj të këtij viti.

Sokol Bashota është dënuar me 6 muaj burg me kusht dhe gjobë prej 1 mijë eurove.

Ky vendim është i Gjykatës së shkallës së parë dhe nuk është i plotfuqishëm.

KALLXO.com e ka pyetur Bashotën nëse do të lirojë pozitat e tij pas vendimit të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për shkarkimin e të gjithë zyrtarëve të partisë që kanë aktakuzë për vepra penale.

Bashota zgjodhi që të përgjigjet shkurt me anë të një SMS.

“Nuk jam i dënuar për korrupsion dhe nepotizëm e as për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha shkurt Bashota për KALLXO.com.

Por, vepra për të cilën është dënuar ai bën pjesë në kapitullin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në kapitullin XXXIII të Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës thuhet saktësisht kështu:

Neni 430

Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare 1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës. 2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit. 3. Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Në një konferencë për media, Veseli  bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

“Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli sot në Prishtinë.

https://kallxo.com/stuhi-ne-pdk-kadri-veseli-liron-nga-detyra-te-gjithe-zyrtaret-me-aktakuza/?fbclid=IwAR3U0GZDJ99pf0Vt_F7XbisLLLt2KSHjNGGvSZUHktbGeLJmSesokkP7oJA

https://kallxo.com/a-do-te-shkarkohet-sokol-bashota-nga-dega-e-pdk-se-ne-kline/

https://kallxo.com/zyrtaret-e-larte-te-pdk-se-me-aktakuza-qe-u-shkarkuan-nga-kadri-veseli/