SMIL, sistemi që do të bëjë institucionet e drejtësisë më transparente dhe llogaridhënëse

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot u mbajt ceremonia e shënimit të përfundimit të fazës së dytë të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe përurimi i fazës së Konsolidimit.

Kjo ngjarje ka shënuar përfundimin e fazës së dytë të projektit, përfshirë pranim-dorëzimin e një sistemi modern për menaxhimin informativ të lëndëve për gjyqësorin e Kosovës, si dhe përurimin e fazës së Konsolidimit, që, përveç të tjerave, ka për qëllim vënien në përdorim të SMIL-it në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës deri në fund të vitit 2019.

Qëllimi i projektit SMIL është konsolidimi i mëtejmë i një sistemit gjyqësor dhe prokurorial më transparent, llogaridhënës dhe të besueshëm.

Kjo ngjarje është organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.

Kësaj ngjarjeje i ka paraprirë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë në vend dhe Ambasadës norvegjeze.

Marrëveshja është nënshkruar në mes të kryesuesit të KPK-së, KGJK-së, ministrit të Drejtësisë dhe ambasadorit norvegjez.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ata iu drejtuan të pranishmëve me fjalë rasti.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e falënderoi Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë për ndihmën dhe kontributin në implementimin e këtij projekti për të cilin tha se e konsideron si sukses të të gjitha palëve të përfshira në të.

“Kjo ceremoni e përbashkët e përurimit të vënies në zbatim të sistemit të menaxhimit informativ të lëndëve apo SMIL-it, në gjykata dhe prokurori janë sukses i të gjitha palëve të përfshira në të dhe në ndihmën e jashtëzakonshme të ofruar nga ekspertet ndërkombëtar të cilët kontribuojnë në zhvillimi dhe ndërtimin e vendit tonë në fushën e drejtësisë”, deklaroi Idrizi.

Ai tha se me zhvillimin e tërësishëm të projektit të SMIL-it në Kosovë do të ketë gjykata dhe prokurori efikase dhe resurse njerëzore të përgatitura në aspektin profesional, procedura dhe afate kohore me të shkurtra e me të shpejta në zgjidhjen e lëndëve, menaxhim më të mirë të gjykatave, sigurimin e statistikave të sakta dhe me kohë, si dhe shërbime me të mira për qytetarët.

Me projekte të tilla siç është projekti SMIL, sipas Idrizit arrihet konsolidimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në nivel më të lartë të transparencës, llogaridhënies, dhe besueshmërisë.

Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, shprehu konsideratë të lartë për ndihmën e pakursyer dhe përkushtimin e madh që ka ofruar shteti dhe populli norvegjez për ngritjen e kapaciteteve në fushën e drejtësisë.

Ai tha se me sistemin SMIL, prokuroritë dhe gjykatat do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe afatet kohore për zgjidhjen e lëndëve sipas standardeve të njohura për të drejtat e njeriut.

Isufaj deklaroi se deri në fund të vitit 2019 pret që sistemi i menaxhimit informativ të lëndëve të vihet në përdorim në të gjitha prokuroritë e vendit.

“KPK ka vënë në zbatim SMIL-in në 6 prokuroritë themelore dhe Prokurorinë Speciale gjë që nënkupton që çdo lëndë që pranohet në këto prokurori regjistrohet në sistem dhe menaxhimi i tyre bëhet nga vetë sistemi.

Pas fazës së dytë të këtij projekti do të kemi vënien në përdorim të SMIL-it në të gjitha prokuroritë e vendit, deri në fund te vitit 2019 si dhe ndërlidhjen me sistemin e gjykatave, Policisë së Kosovës dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë”, deklaroi Blerim Isufaj.

Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ditën e sotme e konsideroi si ditë tepër të rëndësishme për drejtësinë në  Kosovë.

Ai tha se digjitalizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial do të thotë një efikasitet më i madh i gjyqësorit dhe prokurorisë karshi qytetareve të Republikës së Kosovës.

“Pa fuqizim të gjyqësorit dhe prokurorisë nuk do të kemi as ekonomi të shëndoshë, nuk do të kemi as arsim, as shëndetësi të shëndoshë, është baza e zhvillimit të një shteti…”, tha Ministri i Drejtësisë.

Ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad tha se si Ambasadë janë krenar që janë pjesë e këtij projekti pasi që sipas tij ai është menaxhuar në mënyrë shumë të përkushtuar nga KGJK-ja dhe KPK-ja si dhe menaxherët e projektit.

Sipas ambasadorit, secili shtet që dëshiron të ketë progres duhet të ketë sundimin e ligjit si objektiv kryesor duke shtuar se shteti norvegjez dëshiron të jetë partner afatgjatë në këtë drejtim edhe për vitet që vijnë.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bashkim Hyseni deklaroi se me implementimin e sistemit SMIL, proceset e punës duke filluar nga pranimi i lëndëve, parashtresave e pastaj procedimi i tyre i mëtutjeshëm tek referentët përkatës dhe gjyqtarët të cilët janë kompetentë për të vendosur çështje  e deri te ekspedimi i ftesave, dhe ekspedimi i këtyre vendimeve tani behet tërësisht në mënyrë krejt elektronike.

Ai tregoi se para se të fillonin me implementimin e këtij projekti kishin pak hezitime se si do të shkojë ky proces por tani tha se mendon se realiteti ka treguar se procesi është implementuar me shumë sukses dhe me shumë më pak vështirësi se sa që kanë menduar.

Sipas Hysenit sot të gjitha lëndët që i përkasin natyrës penale janë të regjistruara dhe të gjitha procesohen përmes këtij sistemi. Ai shtoi se gjithashtu nga tetori 2018 kanë filluar edhe me regjistrimin e lëndëve civile.

E kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari tha se faza e pilot-projektit ka zgjatur dy muaj, nga muaji qershori deri në muajin gusht të vitit 2018, dhe se gjatë kësaj faze prokurorët dhe stafi administrativ  me ndihmën e trajnerëve të angazhuar nga ana e projektit kanë arritur që të tregojnë rezultate të shkëlqyeshme duke e përvetësuar përdorimin e SMIL-it.

Ai theksoi se më 13 nëntor 2018 ka filluar regjistrimi real i menaxhimit i lëndëve, regjistrimi i të gjitha të dhënat e deri te ekspedimi i tyre te palët.

Në fund të kësaj ceremonie menaxheri i Projektit TIK/SMIL, Fatmir Rexhepi prezantoi para të pranishmëve projektin dhe rezultatet të cilat pretendohet të arrihen me implementimin e këtij projekti.