Skender Çoçaj merr zyrtarisht detyrën si kryesues i KGJK-së

Skender Çoçaj ka marrë zyrtarisht sot detyrën e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga ceremonia e organizuar në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

“Gjatë kësaj ceremonie, Kryesuesi i deritashëm, z. Nehat Idrizi i uroi Kryesuesit të ri z. Skender Çoçaj mirëseardhje në krye të kësaj detyre duke i uruar suksese në punë e tij. Z. Idrizi theksoi se ka qenë i privilegjuar të jetë në krye të sistemit gjyqësor për këto vite dhe me këtë rast falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar gjatë udhëheqjes së tij, si institucionet vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

Nga ana tjetër, siç bëhet e ditur në njoftim, kryesuesi i ri Skender Çoçaj, falënderoi Kryesuesin Idrizi për angazhimin dhe kontributin e tij të deritashëm për punën dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar sistemi i drejtësisë i udhëhequr nga ai tash e tre vite dhe premtoi se do të punojë në të mirë të gjyqësorit dhe do të bashkëpunojë si me gjyqtarët, mediat, institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Në emër të Sekretariatit të KGJK-së, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, Shkelzen Maliqi i dorëzoi një falënderim Nehat Idrizit si shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij.

Ndërkaq, Nehat Idrizi do të vazhdoi punën e tij si gjyqtar në Gjykatën  e Apelit dhe si anëtar i KGJK-së deri më 8 mars 2020.

Ndërsa, mandati i kryesuesit të ri Skender Çoçaj do të jetë deri më 5 korrik 2021.

https://kallxo.com/kush-eshte-kryetari-i-ri-i-keshillit-gjyqesor-dhe-cila-eshte-pasuria-e-tij/

.