Ilustrim

Skandaloze: Vrasja e nënës dhe 9 vjeçares, hetimet zbulojnë neglizhencën e policisë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka sqaruar arsyet pse po heton policët për keqpërdorime, pas vrasjes së 40 vjeçares dhe vajzës 9 vjeçare në Brekoc të Gjakovës.

Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare vdiqën pasi u qëlluan me kallashnikov nga burri, përkatësisht babai i saj, Pjetër Nrecaj. Disa orë para vrasjes, viktima e kishte njoftuar policinë se po kërcënohej nga burri.

Hetimet e Inspektoratit kanë zbuluar se hetuesja e rastit dhe dy zyrtarët policor nuk kanë kryer detyrën zyrtare siç duhet.

Policja L.Z. dyshohet se nuk e ka njoftuar prokurorinë dhe eprorët për raportimin për kërcënime në polici.

“Me datën 22.06.2018, viktima Valbona Marku së bashku me vëllain e saj Kujtim Marku, kishin shkuar në Stacionin Policor Gjakovë, konkretisht te hetuesja e rastit të tyre L.Z. (Dhunë në Familje), për ta njoftuar me këto veprime të zyrtarëve policorë të një dite më parë dhe hetuesja L. Z. pasi i kishte pritur dhe dëgjuar për rastin, nuk kishte informuar as eprorët e saj e as Prokurorin e rastit në lidhje me këtë zhvillim”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë së Gjakovës.

E njëjta sqaron se dy policë një ditë më herët kishin shkuar në shtëpinë e viktimës për ti marrë fëmijët nga aty dhe për t’ja dhënë babait të tyre tani të dyshuarit Pjetër Nrecaj.

“Policët me inicialet  N.P. dhe  P.P,  kanë rënë ndesh me detyrat dhe autorizimet policore,  kur me datën 21.06.2018, së bashku me tani të dyshuarin për vrasje Pjetër Nrecaj, kishin shkuar tek shtëpia e prindërve tani të ndjerës Valbona Marku Nrecaj, për ti marrë fëmijët nga aty dhe për t’ja dhënë babait të tyre tani të dyshuarit Pjetër Nrecaj”, ka shpjeguar zëdhënësja e prokurorisë Yllka Shehu.

Për ngjarjen tragjike në Gjakovë ishin raportuar dyshime të forta se policia nuk e kishte kryer punën siç duhej por Policia në Gjakovë vazhdimisht ka mohuar duke thënë se rasti është trajtuar seriozisht.

Muajin e kaluar, Valbona Nrecaj së bashku me vajzën e saj 9 vjeçare është qëlluar me kallashnikovë nga Pjetër Nrecaj.

Valbona kishte pranuar kërcënime para se të vritej nga bashkëshorti i saj ndërsa policia nuk kishte arritur ta kapte të dyshuarin Pjetër Nrecajn.

Pas vrasjes i dyshuari ishte arrestuar nga ana e policisë.

Ndaj tij ende po vazhdon paraburgimi ndërsa për vrasjen e Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj ka pasur protesta thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës.

Me anë të protestave qytetarët kanë kërkuar që të ndalohet dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre.