Ilustrim

Skandaloze: Veturat e policisë presin servisimin që nga viti 2016-të

Raporti i auditimit ka gjetur se 96 vetura të policisë presin servisimin në flotën e Policisë. Në pritje për servis janë 16 vetura nga viti 2016, 35 nga viti 2017 dhe 45 të tjera që nga viti i kaluar.

Makinat sipas raportit kanë dëmtime dhe janë jashtë funksionit.

Gjetja e ZKA-së, thotë se servisimi dhe riparimi i automjeteve varësisht nga prishjet për të cilat janë dërguar në Flotën e Policisë, sipas rregullave të tyre duhet të kryhet brenda një periudhë optimale 1 deri në 3 muaj.

ZKA ka vërejtur se menaxhimi me flotën e automjeteve e PK-së ku bëhet servisimi dhe riparimi i automjeteve vazhdon të jetë ende i dobët, vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve, ku një numër i tyre ishin në pritje për riparim që nga viti 2016.

Numri i automjeteve që presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018.

“Arsyet e pritjes kaq të gjatë për riparim të automjeteve sipas zyrtarëve të flotës janë: mungesa për një kohë të gjatë e kontratave për furnizim. Shumica e automjeteve në pritje janë të prodhuesit Volkswagen ku PK nuk ka pasur kontratë për furnizim që nga 19.09.2015, pavarësisht se një kontratë ishte lidhur me 15.03.2017 dhe pas kërkesave nga personeli i flotës për furnizim me pjesë, ata nuk kishin marrë furnizimet të cilat do t’i bënin funksionale këto automjete, vjetërsia e automjeteve, numri i vogël i stafit etj”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori tregon se rreziku i kësaj është se dobësitë në menaxhimin e flotës së automjeteve, reduktojnë kapacitetin operativ të PK-së për të ushtruar pa pengesë aktivitetet e përditshme.