SKANDALOZE: Lufta kundër terrorizmit, komuna nuk ka psikolog

Komuna e Hanit të Elezit u bë lajm botëror për shkak të numrit të madh të terroristëve që prodhoj, por e njëjta Komunë ka vetëm një psikolog të punësuar në Qendrën për Punë Sociale, madje edhe ky psikolog është i punësuar me kontratë mbi vepër.

Media Emishti nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Han të Elezit thotë se Qendra për Punë Sociale ka një numër të vogël të punëtorëve.

“Realisht QPS ka një numër të vogël të të punësuarve ku është drejtori dhe dy zyrtarë. Kemi pak staf për mu marr edhe me rastet e ekstremizmit, megjithatë për këta punëtor që i kemi ne jemi munduar që edhe këtë kategori mos ta lëmë anash dhe të  punojmë me ta”, tregon Emishti.

Ajo tutje ka treguar se punëtorët e QPS-së nuk trajnohen për çështjen e ekstremizmit.

“Punëtorët e Qendrës për Punë Sociale  vazhdimisht trajnohen për çështje të ndryshme, por jo për çështje të ekstremizmit. Do të kishte me qenë mirë që në ndërkohë të kenë edhe trajnime për këtë çështje”, tregon ajo.

Emishti tutje ka sqaruar se kanë nevojë të kenë më shumë punëtorë sepse ngarkesa që  jepet QPS-së nuk është e mjaftueshme.

“Ne si Komunë kemi angazhuar psikologen me kontratë për shërbime të veçanta e cila në vazhdimësi po punon për këto raste”, thotë Emishti.

Të njëjtat probleme  shihet ti ketë edhe Qendra për Punë Sociale në Komunën e Kaçanikut.

Diana Bajrami Raka nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Kaçanikut thotë stafi i QPS-së e cila është përgjegjëse për t’i trajtuar këto raste nuk është e trajnuar për tu marrë me këto raste.

“Ndoshta QPS në Komunë e Kaçanikut nuk ka kapacitete të mjaftueshme për shkak të numrit të punëtoreve që është i kufizuar, i kemi vetëm tetë punëtorë. Kapacitete nuk mundem me pas përderisa nuk ka pasur trajnime deri më tani”, thotë Raka.

Emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: