Ilustrim

Skandali me tjetërsim të tokave në Shëngjin, arrestohet edhe një i dyshuar

Policia shqiptare ka arrestuar një 46-vjeçar nga Lezha për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën arrest në burg.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, A.N. dyshohet për veprat penale: falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

“Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj”, thotë Policia e Shtetit.

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet me toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim.

Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.

“Me gjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.