Gazmend Halilaj- FOTO KALLXO

Skandali i Drenasit - Avokati Halilaj thotë se është kërcënuar nga një polic

Monitorues të KMDLNj-së kanë vizituar avokatin Gazmend Halilaj i cili është arrestuar me dyshimet në rastin e abuzimit të një të miture në Drenas. Ai po mbahet në ndalim policor në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

“Ai (avokati) pohoi se atë e kanë arrestuar 4 zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, për të cilën gjë ai pohoi se nuk është në kompetencë të IPK-së dhe se arrestimin e tij e kanë bërë të njëjtët persona për të cilët një ditë më parë kishte bërë kallëzim penal”, thuhet në deklaratën e KMDLNj-së.

Halilaj i ka thënë monitoruesve të KMDLNj-së se gjatë arrestimit nuk i është prezantuar urdhri për arrest, ndërsa një zyrtar i IPK-së e ka kërcënuar gjatë intervistimit se ai do të dënohet me burg.

Po ashtu, avokati iu ka pohuar monitoruesve se gjatë qëndrimit në ndalim për rreth 22 orë nuk kishte marrë as ushqim dhe as ujë.

KMDLNj ka kërkuar sqarime nga zv.drejtoresha e Ndalimit dhe ajo ia ka konfirmuar se shpërndarja e darkës në këtë qendër bëhet në ora 18:00, ndërsa i ndaluari ka mbërritur aty në ora 18:30. Ajo citohet të ketë thënë se Qendra e Ndalimit nuk ka mundësi të sigurojë ushqim për të privuarit që vijnë pas kësaj ore.

“Kurse të nesërmen, më datë 28.02.2019 stafi i pohuan KMDLNj-së se z. Halilaj ka marrë mëngjesin dhe drekën. Avokatin me datë 27.02.2019 e kanë vizituar edhe stafi i emergjencës shëndetësore dhe është trajtuar me barërat e pacaktuara nga mjeku”, vijon deklarata.

Avokati Halilaj nuk ka pasur asnjë vërejtje në sjelljen e stafit të uniformuar, as policëve të cilët e kanë transportuar dhe as ata të Qendrës së Ndalimit.

Atij i janë marrë për hetim 4 telefona celularë për të cilët ka nënshkruar formularin si dhe është intervistuar në prani të avokatit të cilin e ka angazhuar personalisht.