Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar të premten pamje nga kamerat e fshehura në ambientet e punës së prokurorit Ramiz Buzhala në Gjakovë.

Prokurori është filmuar gjatë një takimi me familjarë të Mentor Ramadanit, një qytetari nga Ferizaj, i cili është lënduar në një aksident në punë.

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetime se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Mentor Ramadani ishte lënduar në vitin 2016 në një aksident në punë ndërsa rasti penal ndaj pronarit të kompanisë ende nuk ka përfunduar.

“Kemi qenë duke e mbuluar një objekt me panel në Gjakovë, duke e tërhequr një panel që ka qenë shumë i rëndë, kam rrëshqitur dhe kam ra në tokë, diku në distancë mbi 8 metra. Tash e kam këmbën e lënduar, këmbën tjetër e kam pasë të lënduar, brinjët, kokën, dhe deri sot nuk është trajtuar rasti dhe unë kam me lyp të drejtën deri në fund, nuk tërhiqna prej të drejtës sime”, tha Ramadani, i cili vazhdonte të rrinte i shtrirë ende nga lëndimet e marra.

Takimi në mes të prokurorit Ramiz Buzhala  dhe vëllait të viktimës Ruzhdi Ramadani është zhvilluar në kohën kur aktakuza është në Gjykatë ndërsa biseda në mes tyre vazhdon kur prokurori i thotë vëllait të viktimës se “çka ke interes ti nëse pronari dënohet, pasi që një pronar i ligë nuk do mund ta paguajë dëmin”.

“Kur të vjen fundi me ngu vëllaun, ai mundet me thanë jena marrë vesh, nuk kam qef m’u dënu, ka ndodhë pa dashje, edhe këto i merr Gjykata te masa e dënimit”, është dëgjuar prokurori.

Ai tutje u ka thënë familjareve se për ta nuk është e rëndësishme të dënohet pronari.

“Juve është me rëndësi ky veç me u shpall fajtor, nuk është me rëndësi masa e dënimit në Gjykatë”, citohet prokurori.

Ai tutje ka përmendur raste civile të aksidenteve të komunikacionit ndërsa ka thënë se familjes nuk i duhet një pronar i dënuar.

“Po flas shumë popullorçe, çka ki interes ti me qenë pronari i dënuar. Çka, çka fiton, ty të vyen sot shumë më i fortë më qenë ai pronar që me mujtë me pagu pensionin e paret e krejt”, ka thënë prokurori Buzhala.

Prokurori Buzhala i thotë vëllait të viktimës se ndjekja penale ndaj të akuzuarit do të vazhdojë sepse ka vepër penale dhe për këtë arsye e ka ngritur aktakuzën mirëpo i sugjeron se nëse viktima dhe i akuzuari arrin marrëveshje dënimi është më i ulët.

Më poshtë po ju sjellim bisedën e plotë në mes të prokurorit dhe vëllait të viktimës e zhvilluar në zyrën e prokurorit në Gjakovë.

Viktima: Prokuror, dashta me u konsultu me ty lidhje me punën e rastit të vëllait d.m.th. na e dimë që është ne gjykatë, mirëpo e din ti që mas shumë hjekave ma shkurt shumë vuajtjeve…

Prokurori: Po!

Viktima: …me polici e me Inspektorat Policor e me të gjitha…

Prokurori: Po!

Viktima:  …po e shoh që diçka ka ngecë situata.

Prokurori : Çka ka ngecë?

Viktima: Po mendoj shumë zhag kanë shku këto punë. Atë ditë në Gjykatë qysh e përmende ti me këqyr me ja bo diqysh kësaj pune, me kqyr me u afru diqysh ma shkurt.

Prokurori: Tash, s’po ta di emrin.

Viktima: Ruzhdi.

Prokurori: Ruzhdi  çka keni që doni mu afru s’po di deri në cilën fazë se unë kam kalu në krime të rënda nuk e përfaqësoj ma atë lëndë.

Viktima: Po njëherë ka qenë Armendi.

Prokurori: Po pavarësisht se cili vjen akuza ngritet ne emër të organit, nuk ngritët si Ramiz.

Mua më kanë pat lan përshtypje ajo qasja e atij, s’po du me hy në atë pjesën e avokatëve se ai thirret kishe ai e ka nxjerrë atë lëndë, kishe e ka po ajo është çështje e juaja.

Po unë po them për mua vepër penale aty ka, e kam ngritë akuzën, cili prokuror shkon ka me e mbrojtë, ju që doni me u marrë vesh këtë pjesën edhe atëherë që isha në një seancë marrëveshja e juaj ju çka doni boni po nuk mu ka dukë ky pronari i firmës, nuk mu ka dukë njeri që nuk është i gatshëm me u marrë vesh. Ai i ka largu sendet po megjithatë m’u marrë vesh ju, vepra si vepër është po ndoshta pronari dënohet ma pak.

A: Kur të vjen fundi me ngu vllaun, ai mundet me thanë jena marrë vesh, nuk kam qef m’u dënu, ka ndodhë pa dashje, edhe këto i merr gjykata te masa e dënimit.

Prokurori: Tash po flas jo si prokuror po flas si Ramiz, juve është me rëndësi ky veç me u shpallë fajtor, nuk është me rëndësi masa e dënimit në gjykatë,

A: Po të kuptoj.

Prokurori: Domethënë për civile qajo ju vyn më së shumti… a dënohet pak a shumë nuk është me rëndësi, për civile është me rëndësi veç ky m’u shpallë fajtor, qat ditë që shpallet fajtor ju e çoni në civile edhe gjykata…

A: Në civile është dhënë vendimi, prokuror…

B: Mos harroni rastin me fatalitet që e mbyti vllaun me 20 mijë euro.

A: A e din qysh është puna, se unë shpenzimet që i kam pas për mjekim diku 23 mijë euro me ekspert financiar m’i ka vlerësu.

B: Ma pak se atë çdo vendim gjyqi nuk e merrni, ata e keni të sigurt, por po më duket që… një avokat që e ka mbyt një aksident i kanë dalë 22 mijë euro, edhe u mbytë nana me çikë edhe me….

A: Po po, po t’kuptoj…

B: Nashta me t’pas thirrë gjykata për këtë për këtë pjesën e vendimit të gjykatësit…

A: Prokuror, ti po thu ma mirë me tërheqë padinë?

Prokurori: I ruajnë raportet, se ti s’koka tu u lidh ajo civilja kurgjo me këtë, po flas shumë popullore, çka ki interes ti me qenë pronar i … Çka, çka fiton, ty të vyn shumë më i fortë më qenë ai program që mun me pagu pensionin e paret e krejt me i …

Viktima: Po të kuptoj se çka po don me thanë, po unë qysh pe kuptoj prokuror prej këtij muhabeti tënd ma së miri është mos me e ndjekë penalisht.

Prokurori: Vëllai, jo ti.

Viktima: Po, po, gjithmonë po folim për…

Prokurori: Jena punëtorë… m’u ka nda një pjesë por bisedoni edhe me ndonjë që keni ndonjë avokat familjar tëndin, jo me pagesë

Viktima: Unë çka fitoj prej kësaj? Po mendoj a mundet me më dëmtu ndonjë send në civile ose…

Prokurori: Jo, civile jo por ti mundesh me u marrë vesh edhe me pronarin , që përveç kësaj pjesës që e merr në civile me vendim te gjyqit me bisedu haptas edhe me të me i thanë çka po ofron… nga ndjekja penale. Diçka shtesë për kompensim të vëllait.

?: Kam bisedu me prokurorin, prokurori është i interesuar që raportet me juve mos me u çart, a je në gjendje diçka me ofru shtesë për vëllain për atë ai tërhiqet nga ndjekja penale. Jo…. Se në civile nëse e ke herën e parë nuk të dëmton.

viktima: Po të kuptoj por a e din qysh.

?: Qysh do merre…

Viktima: Po thu që është shumë e kënaqshme ajo çka na kanë ofruar?

Prokurori: Po flas për raste të tjera, në dhé ka hy njeri janë mbytë, si tarifë e kanë diku 20- 23 mijë euro me fatalitet kompanitë e sigurimit.

Prokurori: Me ju taku, as nuk më lejohet mundësia me ardhë në gjykim, unë jam në Krime të Rënda kam dalë, kur të vi … e takoj diku …

Viktima: Po të kuptoj unë.

Prokurori: Po kqyr merruni vesh, shtoj edhe diçka për kompensim të dëmit, edhe ty të tërheqi prej andej, edhe gjykata shkon me një minimum. A e din që thotë populli me ja lidhë kryet, juve për çdo rast për çdo siguri ju vyen ai m’u shpallë fajtor.

Viktima: Po, po ju kuptoj. Ai është …

Prokurori: …Këtij nuk i intereson a shkon një vjet në burg a dy, me rëndësi është ju m’u shpallë fajtor që atë vendim, nuk i dihet i vyn për civilen. Po ti edhe me pa me ja bashkëngjit, gjykata te shteti e ka hise te secili qytetar …

Viktima: Qashtu po të kuptoj..

Prokurori: Unë nuk e di cila gjyqtare e ka, po kqyri flas unë me gjyqtaren edhe njëherë ku është lënda, apo ku është…

Viktima: Hala është në fillim…

Prokurori: Në rast se ju takoj a e din, ose për çdo rast kur ka gjykim ti vjen te unë, e thirri palën e merremi vesh. Në rast se vini në gjykim, para se me hi në gjykim vjen ti te unë “prokuror sot është gjykimi” edhe unë e takoj atë edhe thirrim.

Vikima: Ja ja unë po e di se nuk lejohet me ligj, nuk du as me të qitë probleme edhe ty a po më kupton por unë të thash…

Prokurori: Unë të thash njerëzisht, kur të kish gjykim hajde si sot që ke ardh, prokuror, e thirri atë palën i them kqyr mirë në rast se ki me i shtu edhe diçka edhe del….

Viktima: Po të kuptoj, prej krejt këtij muhabeti unë me sa e kuptova ma së miri është ne m’u tërheqë qysh edhe po thu…

Prokurori: Ai shpallet fajtor, atë vendim ju e merrni për siguri për çdo rast. Po flas edhe njëherë bëhen aksidente edhe nuk e kalon 25 mijëshen, nuk e kalon. Ki raste që nuk i kalon 20-25 nuk e kalon. Jo që jeta e njeriut vlen qaq po tarifat në kompanitë e sigurimit janë asi lloji.

Viktima: Po qashtu, qashtu.

Burhan Qosa, avokati i viktimës, thotë se në këtë lëndë ka edhe një mori shkeljesh të tjera.

“I kam propozuar prokurorit që në vazhdim e sipër me u hetua çështja edhe për sa i përket falsifikimit të nënshkrimit meqë pala e deklaroi se nuk është nënshkrimi i tij meqë na u prezantua edhe një pasqyrë e llogarisë së Trustit d.m.th. kontrata është legalizuar në ATK dhe unë mendoj se janë kryer ato vepra prej pronarit të kompanisë”, thekson avokati duke shtuar se kontrata është përpiluar kur Mentori ka qenë duke u trajtuar në Maqedoni.

Policia e Kosovës nuk kishte hapur rast fare duke u arsyetuar se i janë përzier rastet më një të lënduar në një aksident trafiku dhe kanë hapur vetëm një rast por jo edhe rastin e Mentor Ramadanit.

Pronari i kompanisë “Euro Abi”, Rexhep Kadrushi, në lidhje me lëndimin e Mentor Ramadanit në punë ka qenë shumë i shkurtër duke thënë se tash janë në Gjykatë, ndërsa sa i përket mosraportimit të rastit në Polici fajin e ka hedhur te doktorët që nuk e kanë raportuar rastin.  “Ata nuk e kanë lajmëruar Policinë sepse e kanë obligim kur trajtojnë raste të tilla”, tha ai.

U mbetet organeve të drejtësisë t’i trajtojnë deri në fund pretendimet e publikuara nga ne.

Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë rast deri në epilogun përfundimtar nga organet e drejtësisë.

https://video.gjirafa.com/190510-emision-drejtesia-ne-kosove-prokurori-ne-negociata