Skandal në Novobërdë, barnat asgjësohen në furrë

Që nga viti 2014 deri me datën 6 të këtij muaji dyshohet se drejtori i Qendrës Familjare të Shëndetësisë në Novobërdë, Rrahim Veliu dhe laboranti i Mjekësisë në këtë qendër, Lulzim Llapashtica, kanë asgjësuar në formë ilegale barna me afat të skaduar dhe me përmbajtje narkotike, në një furrë që gjendet në oborrin e QKMF-së, e cila nuk është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Personat e lartpërmendur janë përgjigjur edhe para Gjykatës Themelore në Gjilan, për të cilët është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Arrest shtëpiak për drejtorin dhe laborantin e QKMF-së për asgjësim ilegal të barnave në Novobërdë

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë tha për KALLXO.com se këtë parregullsi e kanë hasur Inspektorët Farmaceutikë gjatë inspektimit të kësaj qendre.

“Me datë 19.09.2018 gjatë inspektimit të praktikës së mirë farmaceutike, të planifikuar më parë), Inspektoret farmaceutikë të rastit kanë hasur në parregullsi të shumta lidhur me menaxhimin e produkteve medicinale me afat te skaduar dhe të papërdorshme dhe sipas kryeteknikut të QKMF Novobërdë, produktet me afat të skaduar dhe të papërdorshme janë shkatërruar pa asnjë procedurë si dhe pa e informuar asnjë institucion përgjegjës, në inserator (furrë) e cila gjendet në oborrin e kësaj qendre, produktet medicinale”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë për “KALLXO.com.

Po ashtu ministria ka sqaruar se për rastin në fjalë nuk kanë pasur informacione paraprake, por e kanë zbuluar rastin “aty për aty”.

“Aty për aty,  si masë preventive përmes procesverbalit përgjegjësi i shërbimit të barnatores në QKMF është urdhëruar që të mos asgjësoj asnjë produkt medicinal. Të gjitha produktet dhe Pajisjet Mjekësore “Të papërdorshme” (me afat të skaduar apo ndonjë arsye tjetër) të mos asgjësohen, por të evidentohen në regjistër dhe të ruhen në një vend të posaçëm dhe sipër tyre të hidhet mbishkrimi të papërdorshme. Po të njëjtën ditë përmes postës elektronike janë informuar Njësiti i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion të Kosovës (nivelin Qendror) si dhe Drejtori i Drejtorisë së Hetimit Kundër Trafikimit me Narkotikë pasi që në barnat e shkatërruara(asgjësuar) kishte pasur dhe barna narkotike”, është thënë në sqarimin e ministrisë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka parë nga afër furrën që janë asgjësuar barnat, por se Qendra e Mjekësisë Familjare ishte e mbyllur dhe nuk ka mundur të marrë më shumë informata.

Po ashtu ishte lëshuar një njoftim se QKMF nuk do të punojë për një kohë pasi nuk gjendet në QKMF drejtori, Rrahim Veliu.

 

 

 

13 Nëntor 2018 - 17:55

Arbisa Shefkiu 13/11/2018 - 17:55
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend