Foto: KALLXO.com

S’ka marrëveshje mes MAShT dhe SBAShK, ministria insiston se mësimi mbahet nesër

As në komisionin parlamentar për Arsim nuk është arritur një marrëveshje mes përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe atyre të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se vendimi për kompensimin e orëve është ligjor dhe ka bazë udhëzimin administrativ për vitin kalendarik.

“Ne konsiderojmë se e kemi marrë vendimin përmes ligjit para universitar për standard më të mirë të edukimit dhe mendoj se vendimi ka qenë i drejtë dhe i duhur. Ne i respektojmë grevat por edhe anëtarët e SBAShK-ut duhet të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim e jo të pengojnë zbatimin e procesit mësimor. Po ashtu MAShT-i është organ vendimmarrës dhe jo ata, ne vendosim nëse duhet të kompensohen orët dhe jo SBAShK-u”, tha Bytyqi.

Ministri shtoi se mësimi do të mbahet edhe gjatë ditës së nesërme dhe nuk do të lejojnë asnjë pengesë.

“SBAShK-u po del si mbikëqyrës i arsimit, nuk do të tolerojmë aspak që të preken të drejtat e nxënësve tanë. Ne kemi marrë vendim, nesër mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat dhe do të jemi në teren së bashku me inspektoratin dhe do të marrim masa ndaj personave që e pengojnë procesin mësimor”, shtoi Bytyqi.

Kurse, kryetari i SBAShK-, Rrahman Jasharaj insistoi që zëvendësimi i orëve të humbura është obligim moral dhe jo të bëhet përmes presioneve.

“Ligji për greva nuk e obligon askënd me i zëvendësu orët, ne në këtë ligj jemi duke u thirrur, por zëvendësimi i orëve mund të jetë obligim moral, jo me presione. Me këto thirrje po dëshironi që në të ardhmen të zbehet greva, do t’i detyrojmë dhunshëm që t’i zëvendësojnë”, tha Jasharaj.

Ai për zgjidhjen e kësaj situate kërkoi nga MAShT që të tërheqin vendimin dhe Këshilli Drejtues i SBAShK të vendosë.

“Unë kërkoj që ministri ta tërheq vendimin dhe unë do ta mbledhi Këshillin Drejtues dhe me mirëkuptim do të kërkojë prej tyre që të kompensojnë orët, ndryshe nuk do të pajtohemi me asnjë kompensim”, shtoi Jasharaj.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, tha se vendimi i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi është marrë në bashkëpunim me komisionin.

“Ne para se të merret vendimi i MASHT jemi takuar dhe kemi konsideruar se është mënyra me e duhur, andaj është edhe obligim moral i mësimdhënësve që ti kompensojnë orët që kanë humbur nxënësit, sepse një gjë të tillë mësimdhënësit e kanë bërë për shumë vite e me dekada”, tha Kurteshi.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga PSD, Driton Caushi tha se SBAShK-u është duke i bërë presion mësimdhënësve që të mos zëvendësojnë orët.

“Kur ju publikisht thuani nuk ka zëvendësim të orëve, nuk mbetet asnjë hapësirë për ta zbatuar atë obligim moral. Kur ju dje keni deklaruar se nuk ka kompensim të orëve, këtë mund ta quaj presion për mësimdhënësit. Pranoni që keni obligim moral dhe nuk pranoni t’i kompmensoni, ideja e takimit ka qenë për një zgjidhje dhe jo për një gjë të tillë”, tha ai.

Greva tri javëshe e mësimdhënësve u mbajt për shkak të pakënaqësive të tyre në Ligjin për Paga.

SBAShK merr vendimin për grevën

MAShT E SBAShK, së bashku në Kuvend për grevën

Mësimi që ia dhanë njëri-tjetrit partnerët e koalicionit përmes SBAShK-ut

www.kallxo.com

 

 

15 Mars 2019 - 12:06

Arbisa Shefkiu 15/03/2019 - 12:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend