Foto: Kallxo.com (arkiv)

Sindikatat të pakënaqura, paralajmërojnë greva     

Sindikatave në Kosovë çdo ditë e më shumë është duke iu sosur durimi, teksa presin për miratimin e Projektligjit për Paga.

Përderisa disa prej tyre kërkojnë miratimin e këtij ligji të tjerat kërkojnë pagesat për pagat e tyre dhe kushte më të  mira për punë.

Mirëpo të gjitha sindikatat kërcënojnë se nëse nuk u merren parasysh kërkesat e tyre do të  fillojnë me greva të përgjithshme.

Ndërsa Sindikata e Zjarrfikësve nesër do të mbajë protestë, derisa ka paralajmëruar se do të shkohet në grevë nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Në anën tjetër, Rasim Selmanaj, anëtarë i Komisionit për Administratë Publike ka bërë të ditur që ende duhet muaj që ky Projektligj të jetë i gatshëm.

“Po projektligji ka kaluar në lexim të parë, ndërsa për leximin e dytë zakonisht shkon deri në dy muaj, por tash nuk e di saktë, por nuk besoj që është kohë e gjatë. Jo për momentin nuk ka asnjë datë të saktë, jemi në procedurë. Ne i kemi marrë të gjitha kërkesat e sindikatave të ndryshme, do t’i analizojmë dhe do ta shohim se cili do të jetë vendimi I komisionit” ka thënë ai për KALLXO.com.

Mantelbardhët nuk duan të negociojnë më, paralajmërojnë bojkot

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se kërkesa e mantelbardhëve nuk është vetëm votimi i ligjit, është zbatimi i menjëhershëm i tij dhe nëse kjo nuk ndodhë do të shkohet në bojkot në sistemin e shëndetësisë.

“Kërkesa jonë nuk është vetëm kalimi i ligjit, kërkesa jonë është e zbatimi i tij i menjëhershëm, nëse nuk ndodhë një gjë e tillë Federata Sindikale e Shëndetësisë do të mbledhë organet të cilat janë të pakënaqura dhe menjëherë do të shkojmë në bojkot”, ka thënë Syla.

Tutje Syla ka bërë thirrje që një projektligj i tillë të mos shfrytëzohet për përfitime politike.

Kemi negociata të vazhdueshme si me opozitën ashtu edhe me opozitën. Në këtë rast të mos bëjnë llogari asnjëra palë në krah të këtij ligji. Nuk kemi më vend për negociata, më 21 dhjetor bëhet fiks një vjet që kemi negociuar për përmirësim të pagave dhe nëse nuk kalon me ndryshimet e kërkuara dhe nëse nuk fillon zbatimi i menjëhershëm do të mblidhen organet për të vendosur për grevën.

SBAShK i pakënaqur me Projektligjin, shpresojnë që do të korrigjohet

Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së  Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se shpresojnë se komisioni do t’i marrë parasysh kërkesat për korrigjim të Projektligjit për Paga.

“ Në si SBAShK sa i përket Projektligjit të Pagave kemi reaguar me kohë pasi ky Projektligj është degradues dhe nënçmues për të gjithë punëtorët e arsimit duke filluar nga çerdhet deri në Universitet. Shpresojmë se Komisioni dhe deputetët do ta kuptojnë shqetësimin tonë në mënyrë që të bëhet përmirësimi i Projektligjit për Paga me theks të veçante sektorin e arsimit”, tha ajo.

Sipas saj kjo Sindikatë i ka ofruar të gjitha argumentet e nevojshme për përmirësim të Ligjit, dhe nëse nuk merren parasysh këto kërkesa do të marrin veprime sindikale duke mos përjashtuar grevat.

Punëtorët e Postës në mëshirën e fatit

Përderisa mantelbardhët dhe mësuesit kërkojnë Ligjin për Paga, punëtorët e Postës së Kosovës kërkojnë pagat e tyre si dhe krijimin e kushteve më të mira të punës.

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, ka thënë që grevat e mbajtura deri më tani kanë qenë të pasuksesshme mirëpo për grevën e ardhshme do të presin deri në fund të vitit.

“Grevat tona kanë pasur sukses në kohë të caktuara por jo për zgjidhje të përhershme. Po shpresojmë se deri në fund të viti do të merren parasysh kërkesat e tona të cilat janë  rimbursimi i humbjeve në Shërbimin Universal Postar, Qeveria t’i mundësojë Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë , pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës” tha ai për KALLXO.com

Kurse, Naser Gashi, kryetar i sindikatës “Postieri” tha se protestat e tyre kanë qenë pa rezultat dhe tani gjithçka ka mbetur në duart e institucioneve.

“Sindikata është akoma e njëjtë siç ka qenë edhe më herët, nuk ka asnjë përmirësimin për momentin. Ndoshta edhe me greva e protesta e kemi tepruar por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ka 4 muaj që vazhdimisht na vonohet paga”,  tha ai.