Sindikatat Kërkojnë Zbardhjen e Sulmit ndaj RTK-së

“SPERTK dënon fuqishëm këtë akt të shëmtuar të këtyre personave dashakeq, i cili është i drejtuar ndaj të ardhmes së RTK-së dhe gjithë vendit,” thuhet në reagimin e sindikatës pas sulmit.

Sindikata tregon se si ndodhi sulmi i mbrëmshëm dhe me çka u sulmua RTK-ja.

“Persona të panjohur kanë sulmuar objektin e RTK-së, me granat dore me saktësisht vendin ku janë të vendosur transmetuesit e valëve dhe gjeneratorët rreth orës 22:00. Në kohën kur ka ndodhur ky shpërthim, shumë nga kolegët tanë ishin në vendet e tyre të punës dhe fatmirësisht të gjithë kanë shpëtuar,” vijon reagimi.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon që të zbulohen kryerësit e sulmit.

“SPERTK kërkon nga organet e hetuesisë, që sa më parë të zbardhin këtë akt qyqarë të drejtuar ndaj mediumit të vetëm publik RTK.  SPERTK nuk dëshiron të paragjykoj motivet e këtij sulmi, por i dënon të gjitha sulmet fyerjet, të cilat po bëhen kohës së fundit në adresim të RTK-së,” përfundon reagimi.

Sulmin me bombë e dënoi edhe Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) duke thënë se e rrezikoi jetën e punëtorëve të këtij mediumi

“Sindikata e Pavarur e RTK-së dënon ashpër sulmin kriminal ndaj Transmetuesit Publik RTK, duke vënë në rrezik jetën e të punësuarve të cilët në momentin e sulmit ishin në vendin e tyre të punës,”thuhet në reagim.

Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkon që përveç kryerësve të sulmit, të zbulohen edhe orkestruesit e tij.

“SPRTK fton organet e drejtësisë që të marrin masa në zbardhjen e këtij akti të shëmtuar dhe ndaj kryesve dhe orkestruesve të merren masa ligjore,” përfundon reagimi.

KALLXO.com shkroi për sulmin ndaj RTK-së.

http://kallxo.com/shperthim-ne-rtk-shume-police-atje/