Sindikata u del në mbrojtje kryeinfermieres dhe mjekes që denoncuan mungesën e dorezave në QKUK

Pas lajmërimit të pacienteve se për shkak të mungesës së ampullave dhe dorëzave ‘duato’ duhet t’i sjellin me vete në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u është shqiptuar vërejtje infermieres dhe doktoreshës së ndërrimit.

Xhemajl Selmani nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se është gabim të shqiptohen vërejtje për stafin mjekësorë që lajmëron pacientët se nuk kanë kushte të punës për të kryer çfarëdo shërbimi mjekësorë.

”Kushdo që e ka dhënë vërejtjen mendoj se është shkelje e radhës, kjo sepse po ngulfatet fjala e realiteti, kjo është e keqe. QKUK duhet të merret me furnizimet me barna e material harxhues, ne nuk kemi mundësi tjetër veç të ju tregojmë për mungesën e të gjitha materialeve”, thotë ai.

Sipas tij është plotësisht e drejtë të njoftohet pacienti për mungesat qoftë edhe për një ampullë.

“Ne në qoftë se e kemi mungesë edhe një ampullë e ngecim punën tonë, nuk guxojmë të punojmë pa material”, tha ai

Selmani tha se menaxhmenti i QKUK-së është më mirë të merret me çështjen e furnizimit se sa me dënimin e punëtorëve që e flasin realitetin.

KALLXO.com sot ka raportuar se QKUK ka dhënë vërejtje për stafin  mjekësorë që lajmëruan pacientët për mungesën e materialit për punë.

https://kallxo.com/thellohet-skandali-qkuk-ndeshkon-puntoret-qe-denoncuan-mungesen-e-dorezave/

.