Sindikata e Zjarrfikësve paralajmëron grevë urie

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, nëpërmjet një konference për shtyp ka paralajmëruar grevë urie, nëse kërkesat e tyre dhe premtimet e qeverisë së Kosovës nuk realizohen së shpejti.

Fillimisht ata paralajmëruan protestë e cila do të mbahet me 15 nëntor në Prishtinë, ndërsa nëse gjendja vazhdon e njëjtë do të detyrohen të shkojnë në grevë urie.

Muharrem Beka kryetar i kësaj sindikate tha se ata janë të gatshëm për sakrifikuar edhe jetën për qytetarët, mirëpo nuk janë të gatshëm që për neglizhencë të institucioneve të drejtat e tyre të shkelen.

‘’Jemi të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën edhe shëndetin për t’i dalë në ndihmë qytetarëve, mirëpo nuk jemi të gatshëm që për neglizhencë të institucioneve zjarrfikësit të përballen me këto shkelje. Jemi pa pajisje profesionale, pa uniforma, pa simbole. Ne kemi mendu me Këshillin organizativ për format dhe kemi konsideruar që të bëjmë edhe grevë ku vetëm në raste shumë emergjente do të intervenojmë ndërsa në raste të tjera jo’’, ka thënë Beka.

Sipas tij kërkesa kryesore e tyre është që paga e një zjarrfikësi të nivelizohet me shërbimet emergjente.