Siguria në punë, ministri Reçica: Për dy muaj janë mbyllur 40 vendpunishte

Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj në seancën sotme të Kuvendit, tha se siguria dhe shëndeti në vendin e punës po vazhdon të jetë mjaftë shqetësuese dhe pati pyetje për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

“Edhe këtë vit, për dy muaj nga lëndimet kanë vdekur disa persona në vendet e punës. Të drejtat e punëtorëve dhe lëndimet po mbeten sfidë sidomos në sektorin privat. Cilat janë hapat konkret që i keni marr si ministri për sigurinë në punë?”, tha ajo.

Ndërkaq, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se siguria dhe shëndeti në punë është sfidë për institucionet e Kosovës.

“Vitin e kaluar kemi marr një sërë masash, kemi nxjerrë një sërë rregulloresh për shëndet dhe siguri në punë. Në muajin tetor dhe nëntor të vitit të kaluar kemi ndërmarr një fushatë inspektuese në sektorin e ndërtimit të lartë në disa qytete të Kosovës”, tha ai.

Sipas ministrit, vitin e kaluar është cilësuar shkalla më e lartë e ndërtimit, si në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan të gjitha vendpunishtet që nuk i kanë përmbushur standardet ju është ndërprerë puna.

“Kanë qenë mbi 100 vendpunishte që brenda javës ju është ndërprerë punës për shkak të mos zbatimit të kritereve për sigurinë në punë dhe të njëjtat mbi 80 për qind më pas kanë plotësuar kriteret minimale”, tha ai.

Ministri shtoi se të njëjtën gjë janë duke e bërë dhe këtë vit.

“Deri më tani në disa qytete të Kosovës, vetëm në këta dy muajt e parë kur ka filluar sezona e ndërtimit, është ndërprerë puna në mbi 40 vendpunishte dhe të gjitha këto kanë një vendim nga Inspektorati për pezullim të punës së tyre deri në përmbushjen e kritereve”, theksoi ministri.

12 Prill 2019 - 12:23

Emirjeta Vllahiu 12/04/2019 - 12:23
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend