Si Vdiq në Serbi Vozitësi i Kamionit me Kufomat e Shqiptarëve?

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Ivan Pajiq, dëshmitar okular në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, ka rrëfyer çfarë kishte parë në korrik të vitit 1999.

Pajiq thotë se së bashku me babanë e tij kanë dëshmuar për disa krime të luftës së fundit në Kosovë duke përfshirë bartjen e kufomave në kamionë-frigoriferë.

“Atë e kanë mobilizuar me kamion të shtetit. Ai ka shkuar me atë kamion kudo që është dashur. Pasi që ka shkuar i kanë thënë të vozisë edhe frigoriferë e të tjera. Siç flitet ka pasur kufoma, nuk e di të kujt”, tha Pajiq.

Pajiq në ‘Jeta në Kosovë’, tha se përveç në autoritetet serbe, ai dhe babai i tij kishin dhënë deklarata në Kosovë.

“Ka qenë edhe babai këtu (në Kosovë). Kemi qenë në EULEX. Kemi dhënë deklarata bashkë me babanë, por këto kanë qenë deklarata me zyrtarët e Qeverisë Amerikane dhe FBI-së. Babai ka dëshmuar për raste tjera, në lidhje me frigoriferët dhe gjithçka që ka ndodhur atje… si dhe për rastin Bytyçi çfarë ka pasur të thotë”, tha Pajiq.

Babai i Pajiq vdiq në vitin 2016, ndërsa i biri i tij pretendon se ai u helmua gjatë kohës që ishte marrë në paraburgim në Serbi.

“E patën paraburgosur se ai është dëshmitari okular për vrasjen e vëllezërve Bytyçi… Ka dyshuar që janë duke e helmuar në burg me ushqim”, tha Ivan Pajiq.

Në këtë intervistë, Pajiq flet lidhur me deklaratat që kishte dhënë në Prokurorinë të Serbisë rreth rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe si kishte vazhduar jeta e tij pasi dëshmisë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: