Si u përzgjodh e më pas u zhgënjye notuesi i mitur para nisjes për garë ndërkombëtare?

Një përzgjedhje si ‘në moment të fundit’ të një notari kosovar për të marrë pjesë në një garë ndërkombëtare në Kanadë përfundoi me zhgënjim nga Federata Kosovare e Notit.

Dasar Xhambazi, që tashmë është 16 vjeçar, në vitin 2016 ishte përzgjedhur për pjesëmarrje në kampionat por më pas ishte anuluar pasi Federata kuptoi se ishte i vogël në moshë për këtë pjesëmarrje.

Nëna e Dasarit, Edona Xhambazi në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se konsideron që është totalisht jo profesionale nga ana e FNK-së, ky ngatërrim.

“Dasari i ka bo 15 vjet tash. Vitin  e kaluar është ftuar si në moment të fundit të marrë pjesë në kampionatin e Kanadës. Pasi u bënë të gjitha përgatitjet edhe jo Dasari nuk ka shku sepse të nesërmen kanë thënë jo nuk mundet të marrë pjesë sepse nuk e ka moshën”, tha Xhambazi.

Ajo po ashtu tregoi se ky ishte vetëm fillimi i demotivimeve dhe sipas saj diskriminimeve që i janë bërë Dasarit në sportin e notit.

“Është ftuar të marrë pjesë në kampinoatin botëror në Hungari, ftesa ka ardhë në emër të sportisti, në ftesë ka shkruar presim përgjigje deri nesër në orën 12. Pavarësisht ku jetojmë, fëmijët tanë po mundohemi që të kenë përgatitje më të mirë. Nuk është pranuar të shkojë trajneri i tij me të”, tregon Xhambazi.

Trajneri i këtij notary nga klubi ‘Step’, Besart Shala tregoi se çfarë i ishte thënë notarit të tij nga sekretari i FNK-së kur kishin kërkuar që trajneri ta shoqëronte në garë.

“Ai dojke me thënë se mos ke me bo namin atje. Ka shku një trajner që edhe sot notuesi im nuk e njeh atë. Nuk ja njoh asnjë notues dhe e keqja ka vazhduar sepse notuesi im më është paraqitur në garë  në Budapest pa pëlqimin tim dhe pa konfirmimin tim. Unë e di qëllimin që e ka paraqitur që të ndëshkohet notuesi”, tha Shala.

Në anën tjetër, sekretari Astrit Haliti arsyetoi ndalesën e udhëtimit për trajnerin për shkak të mungesës së akreditimit.

“Akreditimi kryhet për njerëz që marrin pjesë dhe nuk kryhen ditën e fundit.  Unë besoj që se them atë dhe nuk ka mundësi me thanë”, tha Haliti.

Në hulumtimin e ‘Jeta në Kosovë’, flitet për parregullsitë në udhëheqësinë e Federatës së Notit të Kosovës dhe akuza të tjera për diskriminime ndaj notarëve të rinj kosovarë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: