Si u dha lajmi i madh për shkëputjen e kontratës mes Telekomit dhe Z- Mobile

Më shumë se 200 persona ishin mbledhur para ndërtesës së PTK-së sot për të protestuar në lidhje me mos-vazhdimin e kontratës mes Telekomit dhe operatorit Z- Mobile.

Deri në 20 minuta u mbajtën fjalime nga kryetarët e disa sindikatave më në krye të asaj të PTK-së, ku më pas u kumtua se Kryetari i Sindikatës së PTK, Lahmi Balaj shkoi të bisedonte me bordin e Telekomit për çështjen e kërkesave që gjatë protestës paraqitën sindikata.

Minutat e pritjes nuk ishin të gjatë, nga zyrat e Telekomit në drejtim të protestuesve po vinin, Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin.

Mes emocionesh u dha edhe lajmi të cilin gjithë punëtorët e prisnin.

Kontrata po shkëputej ndërsa vetë Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lami Balaj tha se emocionet janë të shumta.

“Tashmë jemi bashkërisht këtu me Kryeshefin që ta kumtojmë lajmin se tashmë është marrë vendim që me datën 30 korrik të shkëputet kontrata me Z- Mobile”, tha Balaj.

Në mes të kumtimit dhe duartrokitjeve të protestuesve Kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi dhe Lami Balaj po  rrihnin krahët e njëri tjetrit.

Ai vazhdoi duke thënë se “Kryeshefi (Bedri Istrefi) sigurisht që ka emocione edhe unë kam emocione dhe të gjithë ju keni emocione, por ndoshta një fjalë ë rasti e kish marrë por nuk e di se si e ka disponimin”.

Mes emocioneve dhe disponimit, Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi iu drejtua protestuesve.

Ai falënderoi punëtorët e tij për pjesmarrjen në protestë.

“Ne vetëm jemi në takim ende duke e diskutuar edhe aspektin financiar nga ku  e kemi kontaktuar një kompani ndërkombëtare që të bëj një analizë financiare që si raport pre-eliminar ka dalë pozitiv sa i  përket aspektit të Telekomit të Kosovës, të njëjtën kohë kemi pranuar edhe një njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme ligjore ku të njëjtën kohë na jep të drejtë neve si Telekom që të njoftojmë operatorin që deri më tash ka qenë partner me ne në këtë rast Z- Mobile që shkëputja e MSA-së vazhdon që nga data 30 korrik. Ndërsa pjesa e tjetër e ekspertizës financiare, ne jemi duke e diskutu në bord edhe me kompaninë ndërkombëtare por për shkak të korrektësisë dhe për hir të pjesëmarrjes suaj këtu dola nga takimi që të ju jap këtë lajm”, tha Istrefi për derisa po përgëzonte Balajn me shtrëngim të duarve.

Përgjatë protestës, Kryetarët e Sindikatave të KEK-ut, KEDS-it, thanë se i qëndrojnë pranë punëtorëve të PTK-së.

Deri sot, Telekomi i Kosovës gjendet ende para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z- Mobile, për të cilën kompania i ka dhënë afat për pagesë deri në fund të qershorit, në kërcënim të përmbarimit.

Në të njëjtën kohë, Telekomi i Kosovës dhe Z-Mobile deri në lajmin për shkëputjen e kontratës, ishin  në negociata për të vazhduar ose jo kontratën e cila skadon po ashtu në fund të qershorit.