Si Portretizohen Liderët e Pavarësisë në Librat e Historisë

Përveç kthesave historike botërore dhe të kaluarës së përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë, nxënësit kosovarë mësojnë në shkollë edhe për Pavarësinë e Kosovës, tashmë Republikë.

Gjeneratat që këtë vit vijojnë mësimet në shkollat fillore dhe të mesme janë të lindur pas luftës së vitit 1999 dhe dokumentojnë 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

KALLXO.com ka nxjerrë disa pjesë nga ajo çfarë përshkruhet në librat e historisë të shkollave fillore dhe të mesme lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nxënësit filloristë në Kosovë hasin në këtë histori të re në librat e klasës së pestë dhe të nëntë, ndërsa ajo haset edhe në librin e klasës së 10-të në varësi nga drejtimi i shkollave të mesme.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është një fitore e përbashkët dhe meritë e të gjithë shqiptare, të gjitha forcave politike që ishin angazhuar në përpjekjet për çlirimin e Kosovës, pa lënë anash këtu kontributin e diasporës shqiptare”, thuhet në librin e historisë së klasës së nëntë.

Në anën tjetër, nxënësit në klasën e pestë lexojnë tekste optimiste lidhur me jetën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Me pavarësinë e Kosovës u hapën mundësi të reja për zhvillimin dhe përparimin e popullit në të gjitha fushat e jetës”, thuhet në librin e klasës së pestë.

Për këtë vit jubilar të festimit të pavarësisë, nuk ka një plan të përgjithshëm shtetëror se si do të festohet në shkolla.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, tha për KALLXO.com se përgatitjet për manifestim në shkolla u janë lënë në përgjegjësi drejtorive komunale të Arsimit.

Në anën tjetër, vetëm disa prej DKA-ve të komunave kryesore të Kosovës kanë treguar për KALLXO.com planin festiv për shkollat.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iseti Beka tregoi për planin e festës në komunën e tij.

“Nga ana e DKA-së do të organizohen programe dhe aktivitete edukativo arsimore, duke filluar nga “Kuize të diturisë”, “Ore letrare” e te tjera. Gjithashtu, ora e parë e së premtes, 16.02.2018, do ti kushtohet “17 Shkurti’”, tha Beka.

Po ashtu, Ushtruesja e Detyrës së Drejtores së Arsimit në Gjilan, Majlinda Hoxha tha një orë nga orët mësimore të nxënësve do ti kushtohet ligjërimit për Pavarësinë e Kosovës.

“Nga data 08-16 shkurt, në gjitha IEA-të do të organizohen aktivitete konkuruese me nxënës siç janë (piktura, ese, gara sportive, gara në lëndë të ndryshme mësimore)”, tha Hoxha.

Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008, me votimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës së lexuar nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.