Ereniku

Si pasojë e degradimit të lumit Erenik, komunës së Gjakovës i dështon plani për ndërtimin e digës

Komuna e Gjakovës për vitin 2019, nga investimet kapitale kishte planifikuar ndërtimin e një dige në lumin Erenik, në fshatin Botushë të kësaj komune.

Por si pasojë e degradimit të shtratit të këtij lumi, nga kompanitë që marrin zhavor pa leje, komunës i ka dështuar plani, pasi mjetet e ndara në shumën prej 50 mijë eurove, janë të pa mjaftueshme.

Shpat Nivokazi, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në komunën e Gjakovës (DBPZHR), për KALLXO.com, ka treguar që aq shumë është degraduar shtrati i këtij lumi, sa që as 100 mijë euro nuk mjaftojnë për ndërtimin e digës.

“DBPZHR duke u bazuar në vlerat e digave të ndërtuara më parë në lumin Erenik, ka ndarë 50 mijë euro, por pasi që zyrtarët e DBPZHR kanë dalë në teren së bashku me firmën projektuese të kontraktuar, është konstatuar që shuma e ndarë prej 50 mijë eurove nuk është e mjaftueshme për ndërtimin e kësaj dige”, ka thënë Nivokazi në përgjigjen e tij.

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar për degradimin e shtratit të lumit Erenik, nga kompania “Shala”, pronari i të cilës Myrt Shala, kishte pretenduar se kishte leje për marrjen e zhavorrit, ndërsa më pas ishte përgjigjur me  tone kërcënuese, në kërkesën për ta parë atë leje.

 

https://kallxo.com/degradimi-i-shtratit-te-lumit-erenik-ne-gjakove-video/

Nivokazi në anën tjetër, ka treguar se edhe shifra prej 100 mijë eurove nuk është e mjaftueshme për ndërtimin e digës, ndërsa ndërtimi i saj do të bëhet në një fazë tjetër, pas rehabilitimit të shtratit të lumit Erenik.

Me ndërtimin e kësaj dige, do të zgjidhej problemi për ujë të pijshëm dhe ujitje në fshatrat Nivokaz, Botushë dhe disa fshatra të tjerë për rreth.