Si e arsyeton Ministria e Bujqësisë skandalin për ndarjen e subvencioneve?

Në emisionin  “Drejtësia në Kosovë” u shfaq hulumtimi ekskluziv rreth skandalit të Ministrisë së Bujqësisë në ndarjen e subvencioneve për cilësi të qumështit.

Hulumtimi tregoi se si Ilir Limaj nga Malisheva arriti të përfitoj subvencione për cilësinë e qumështit pas pasur lopë e fermë.

Për disa ditë radhazi, Drejtësia në Kosovë ka kërkuar sqarim nga ana e Ministrisë së Bujqësisë të cilët në fillim thanë se kanë vërejtur gabimin dhe janë duke punuar në të.

“Arsyeja pse ky fermer ka perfunduar ne listen e fermereve perfitues per Pagesa Direkte Qumesht sipas cilesise per TM3 2018 ështs sepse AZHB bën pagesa sipas listave per dy kategori-Blegtori dhe sipërfaqe. Ka edhe fermerë tjerë që janë në këtë listë dhe nuk janë përfitues për qumësht por për pagesa tjera për siperfaqe apo blegtori”, thuhet në përgjigjen e  Ministrisë së Bujqësisë.

Ata gjithashtu kanë falënderuar edhe Drejtësia në Kosovë për identifikimin e problemit në pagesën e këtij fermeri.

KALLXO.com ditë më parë kishte pranuar një informacion se një bashkëfshatar i Zëvëndëskryeministrit Fatmir Limaj nga Banja e Malishevës, kishte përfituar subvencione për cilësinë e qumështit.

Kjo kishte bërë që fermerët e Banjës së Malishevës të ngrisnin shqetësimet se pse Ilir Limaj të marrë subvencione për qumësht pasi që i njëjti nuk kishte as fermë as lopë.

Vetë Ilir Limaj i cili nuk pranoi të fliste para kamerës së ekipit tonë, tregoi se asnjëherë nuk kishte aplikuar për cilësi të qumështit por për të mbjella gruri.