Shtyhet testi i Maturës Shtetërore për një javë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim që të ndryshohen data e mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore 2019, në afatin e qershorit.

Sipas këtij vendimi, maturantët do t’i nënshtrohen pjesës së parë të provimit të maturës nga data 12.06.2019 deri më 15.06.2019, ndërsa pjesa e dytë e provimit do të mbahet nga data 19.06.2019 deri më 22.06.2019.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media, ku provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet në katër lëndë, tri lëndë obligative dhe një lëndë me zgjedhje.

“Tërheqja publike e shortit për renditjen e mbajtjes së testit nëpër regjione bëhet më 6 qershor 2019”, thuhet tutje duke e shfuqizuar vendimin e mëparshëm për këtë test.

Ndërsa, në vendimin e marrë më 25 shkurt të këtij viti ishte vendsour që pjesa e parë të mbahej nga data 5 deri më 8 qershor 2019, ndërsa pjesa e dytë nga data 19 deri më 22 qershor 2019.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MAShT për të kuptuar arsyet e ndryshimit, por  ende nuk ka marrë përgjigje.

Sipas të dhënave të ministrisë dërguar muaj më parë për KALLXO.com këtij testi do t’i qasen rreth 27 mijë nxënës.

Kurse,  vitin e kaluar kalueshmëria e Testit të Maturës ishte 73.3 për qind, duke shënuar kështu rënie me rreth 10 për qind krahasuar me vitin 2017, ku këtë test e kishin kaluar 83.5 për qind të nxënësve.

Nga procesi i Testit të Maturës 2018, për shkak të shkeljeve ishte anuluar testi për 87 nxënës, ndërsa për shkak të shkeljeve të vendimeve të MASHT-it, nga procesi i administrimi ishin larguar 8 administratorë.