Rasti FAN - Gjykimi ndaj Naser Osmanit dhe te tjereve (Arkiv) - 29.01.2019 - KALLXO
Shtyhet shpallja aktgjykimit ndaj deputetit Naser Osmani e të tjerëve
Trupi gjykues në rastin e deputetit të akuzuar Naser Osmani dhe të akuzuarëve tjerë, nuk e ka shpallur sot aktgjykimin.
Kjo sipas gjykatësit Shashivar Hoti për arsye se nuk kanë mundur t`i shqyrtojnë të gjitha shkresat e lëndës.
“Trupi gjykues në kohën që ka pasur në dispozicion nuk ka mund t`i shqyrtojë të gjitha shkresat e lëndës dhe të bije një vendim meritor”, kështu tha gjykatësi Shashivar Hoti.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Hoti pasi kërkoi falje për shtyrje, seancën e radhës për shpalljen e aktgjykimit e caktoi datën 8 shkurt.
Në gjykatore i pranishëm nuk ishte i akuzuari Naser Osmani e as prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu.
Gjykata e Prishtinës sot pritej që të shpallte aktgjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës Naser Osmanit si dhe të akuzuarve të tjerëve, lidhur me rastin e privatizimit të Fabrikës “FAN”, në Podujevë.
Në këtë proces gjyqësor aktakuzën e Prokurorisë Speciale e ka përfaqësuar prokurorja Fikrije Fejzullahu ndërsa rasti është gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Shashivar Hoti kryetar dhe dy anëtaret e tjerë Beqir Kalludra e Shadije Gërguri.
Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.
Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 6 persona të tjerë akuzohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.
Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton KALLXO.com.
Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe biznesmeni Agim Deshishku si blerës i fabrikës “FAN”.
Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.
Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.
Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.
Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm për vete ose blerësit e fabrikës “FAN” të Podujevës.
Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.
Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.
Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.
KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces.
Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.